Bardhi: Intimidimet ndaj prokurorisë, nuk e shpëtojnë dot qeverinë

30 Janar 2026, 20:51 / POLITIKË ALFA PRESS
Bardhi: Intimidimet ndaj prokurorisë, nuk e shpëtojnë dot

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të SPAK për të mos lejuar zhvillimin e takimit të komisionit parlamentar të njohur si “Xhafaj 2”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se ky vendim përbën një refuzim të qartë ndaj, sipas tij, përpjekjeve të qeverisë për të ushtruar presion mbi Prokurorinë e Posaçme.

Sipas Bardhit, qeveria ka ndërmarrë një sërë veprimesh që synojnë intimidimin e sistemit të drejtësisë, duke përmendur kundërshtimin në Gjykatën Kushtetuese të vendimit për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, si dhe zvarritjen e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj.

Ai thekson se tentativa për të realizuar “vizita monitoruese” nga deputetët në SPAK është vlerësuar nga ky institucion si në kundërshtim me ligjin dhe si cenim i pavarësisë së tij kushtetuese.

“Përpjekjet për të intimiduar SPAK janë të kota. Askush nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë përpara ligjit”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.

Nga ana e saj, SPAK ka sqaruar se takimi i planifikuar nga komisioni parlamentar përbënte kapërcim të kompetencave ligjore dhe cenonte pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme.

Po ndodh...

ide