“Evita”, perandoria (aspak) e fshehtë e Klodian Allajbeut, nga skandali i “Hemodializës” tek miliardat sekrete të Covid
Biznesmeni i spitaleve, Klodjan Allajbeu, nuk ka qenë asnjëherë pronar zyrtar i kompanisë farmaceutike, ‘Evita” shpk. Megjithatë, është një sekret publik se ai i kontrollon fijet e shoqërisë që doli nga hiçi në vitin 2014 dhe u shndërrua në një prej përfituesve më të mëdhenj të fondeve publike në Shëndetësi.
“Evita” nisi në një lokal lagjeje në Berat, e regjistruar nga familjare të Allajbeut. Pak më shumë se një vit pas krijimit, shoqëria me kapital fillestar minimal, arriti të siguronte një prej katër kontratave koncesionare në Sektorin e Shëndetësisë, Hemodializën, me kosto mbi 80 milionë euro.
Në vitet në vijim, “Evita” ka ndryshuar emrat e pronarëve, të cilët, në çdo rast kanë qenë vartës ose lidhje të ngushta të Klodjan Allajbeut, i cili është kujdesur pa sukses që të fshehë emrin e tij.
Përgjatë një dekade jetë, “Evita” ka vendosur një lloj hegjemonie në tregun e tenderave të ilaçeve, duke qindra procedura, me vlerë më së paku 40 milionë euro, sipas të dhënave të përpunuara nga portali “spending.data albania”.
“Evita” shpk ka qenë për shumë vitesh subjekt i investigimeve gazetareske, megjithëse ka arritur të shmangë hetimet zyrtare nga një mori institucionesh publike. Këtë fillim-jave, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kryer një kontroll në zyrat e kompanisë, në kuadër të një hetimi për pastrim parash.
Për momentin, nuk ka ende të dhëna se cili është fokusi i hetimit dhe për cilën apo cilat raste po kryen verimet Prokuroria e Posaçme. Megjithatë, një gjë duket e sigurt-nëse vullneti institucional do të jetë në nivele të pranueshme, dokumentat e “Evita-s” mund të jenë një minierë e vërtetë për të kuptuar se si ka funksionuar tregu i tenderave shëndetësore gjatë mandateve qeverisë të kryeministrit Edi Rama.
“Evita”, gjigandi nisi në një lokal lagjeje
Sali dhe Majlinda Fetiu kishin një lokal të thjeshtë lagjeje në Berat në vitin 2013, me të ardhura të ulta, fare modeste. Por, në vitin 2014, Majlinda regjistrohet si një biznes në fushën e farmaceutikëve. Zonja, vetëm me 6 klasë shkollë, e paditur në biznesin e ilaçeve, i hyri një loje, të cilën, me shumë mundësi, as nuk e ka kuptuar ndonjëherë. Themeloi shoqërinë “Evita” shpk
Kur “Evita” u shfaq si një prej aksionerëve të kompanisë “DiaVita”, e cila fitoi koncesionin mbi 80 milionë euro për ofrimin e Shërbimit të Hemodializës në Shkurt 2016, gjërat filluan të qartësohen.
Majlinda Fetiu rezulton se është vajza e xhaxhait të sipërmarrësit të spitaleve, Klodjan Allajbeu. Në kompaninë koncesionare të Hemodializës, “Evita” e Majlindës zotëronte 80 përqind të aksioneve. Ndërsa “Spitali Amerikan” i Allajbeut kontrollonte pjesën tjetër prej 20 përqind të aksioneve.
Në krijimin e kompanisë koncesionare, “Evita” e Majlinda Fetiut përfaqësohej nga Elona Saraçi, një vartëse e Allajbeut tek Spitali Amerikan.
Në Qershor 2016, pra 4 muaj pasi kishte fituar kontratën koncensionare me vlerë 80 milionë euro, Majlinda Fetiu i shet aksionet tek biznesmeni Rasim Hamzaraj, i cili siguroi 72.5 përqind të tyre dhe pjesën tjetër Ertel Kërçukut.
Në Dhjetor të atij viti, Rasim Hamzaraj ia shet aksionet e tij shoqërisë “Arimo”, një kompani e regjistruar në zonën “offshore” të Amsterdamit, në Hollandë.
Pronarët fundorë të “Arimo” bv rezultojnë një 34-vjeçar rus, Nikita Maximovich Vinogradov dhe një 35-vjeçare bullgare, Zoya Georgieva Gyurova. Këta dy personazhe janë ortakë me Allajbeun në një resort në periferi të Tiranës.
Fijet e koncensioneve “Hemodializë-Sterilizim”
Paralel me zhvillimet tek kompanitë “Evita” dhe “Diavita”, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Ilir Beqja, nënshkroi kontrata koncensionare për shërbime të tjera, ndër të cilat edhe ajo për “Laboratorëve”, me fond 130 milionë dollarë.
Ky koncension u fitua nga bashkimi i tre operatorëve;
“AB Laboratory Solution” rezulton të jetë e regjistruar në Amsterdam të Hollandës, në vitin 2007 dhe ka aktiviteti i saj është “institucion financiar”.
Në bazë të të dhënave publike, rezulton se “AB Laboratory Solution” ka pasur adresë “Nassaulaan 2 A, 2514JS ‘sGravenhage” në Amsterdam.
Nga Shkurti i vitit 2017 deri në Qershor të vitit 2018, “AB Solution Laboratory” ka pasur si drejtoreshë ekzekutive Luisa Cinsia Ramasso. Pas dorëheqjes së saj, emërohet Tamara Alexandra Eleonora.
Më tej, në vitin 2018, drejtimin e përgjithshëm të kompanisë e merr Kostandinos Karathanos.
Adresa dhe drejtuesit në periudhën 2017-2018 janë saktësisht të njëjtat që figurojnë edhe për kompaninë “Arimo BV”, një prej anëtarëve që ka pasur në pronësi koncensionin për “Hemodializën”.
Në bazë të të dhënave zyrtare, “Arimo BV” ka regjistruar si adresë të saj “Nassaulaan 2 A, 2514JS ‘sGravenhage”, i njëjti vend me selinë e deklaruar nga “AB Laboratory Solution BV”.
Gjithashtu, në periudhën 2017-2018, “Arimo BV” ka pasur si drejtues të përgjithshëm, fillimisht Luisa Cinsia Ramasso e më tej, Tamara Alexandra Eleonora.
Skandalet financiare me Hemodializën
Zbatimi i kontratës koncesionare për Shërbimin e Hemodializës është shoqëruar me skandale të rënda financiare, të evidentuara më herët nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në vitin 2022, KLSH publikoi një raport, në cilën u zbulua se kompania koncesionare e Hemodializës kishin përfituar rreth 1 milionë euro nga fondet publike, pa kryer asnjë shërbim.
Sipas termave të kontratës, koncensionari do të njoftonte Ministrinë e Shëndetësisë për “datën efektive” të nisjes së shërbimit, e cila ishte momenti kur kompania private kryerjen e seancave të Dializës në të gjithë spitalet e përcaktuara.
Po ashtu, kontrata parashikonte që, në rast se autoritetet publike nuk krijonin infrastrukturën e nevojshme në të gjithë njësitë spitalore deri në momentin e “datës efektive”, koncensionari do të vijonte shërbimin në strukturat e tjera dhe do të paguhej vetëm për seancat e Dializës që do të kryente.
Siç konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit, “DiaVita” njoftoi Ministrinë e Shëndetësisë se kishte nisur ofrimin e shërbimit në 1 Nëntor 2016, e cila shënon edhe zyrtarisht “datën efektive” të Koncensionit.
Në komunikimet zyrtare mes kompanisë koncensionare dhe Ministrisë së Shëndetësisë konstatohet se në spitalin e Elbasanit dhe të Korçës nuk ishte krijuar ende infrastruktura e nevojshme për kryerjen e Dializës dhe “DiaVita” nisi shërbimin në strukturat e tjera spitalore publike, por edhe private, siç ishte rasti i Spitalit Amerikan.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se “Mosmarrëveshja midis Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor dhe koncensionarit lidhet me datën e fillimit të pagesës për qendrat e dializës në rajonet Korçës dhe Elbasanit”.
Fondi ka zbatuar si datë të fillimit të pagesës, datat e njoftuara zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë, për fillimin e aktivitetit në secilën prej qendrave.
Ndërsa koncensionari pretendon, që pagesat duhet të fillojnë që nga data 1 nëntor 2016, pavarësisht se shërbimi nuk ka ekzistuar.
Koncesioni rrezikon jetën e pacientëve
Në një raport të publikuar në vitin 2023, Kontrolli i Lartë i Shtetit ngriti alarmin se mënyra se si po zbatohet kontrata koncesionare e Hemodializës, po vendoste në rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e pacientëve.
Në kontratën e koncesionit është përcaktuar që shërbimin e dializës e përfitojnë vetëm pacientët kronik që vuajnë nga stadi i fundit i sëmundjes reale kronike, pra vetëm ata pacientë që janë identifikuar nga qendra e hemodializës në Qendrës Spitalora Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë (QSUNT) dhe kanë marrë miratim nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Ndërsa për pacientët që kanë raste akute të sëmundjeve të veshkave nuk mund të ofrohet shërbimi i dializës pranë qendrave të koncensionarit në rajonin ku banojnë, pa kaluar më parë në një procedurë burokratike për marrjen paraprake të miratimit nga FSDKSH.
Për këtë arsye spitalet publike, pacientët me raste akute të sëmundjeve të veshkave i dërgojnë me ambulance të shoqëruar më mjekun specialistë për të marrë shërbimin e urgjencës në QSUNT.
Në foto: Raporti i KLSH: Pacientët me probleme akute të veshkave trajtohen vetëm në QSUT
Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, “mos kryerja e dializës në qendrat e koncensionarit, të pacientëve me raste akute të sëmundjeve të veshkave, jo vetëm që dëmton rëndë shëndetin e pacientit që mundë ti vijë nga mos dhënia e ndihmës së shpejtë, por rrit punën tej kapaciteteve të klinikës së nefrologjisë në QSUNT, si dhe rrit kostot spitalore, që vijnë nga transportimi me ambulancë i pacientit dhe mjekut shoqërues”.
Miliardat “sekrete” për COVID
Krahas Hemodializës, “Evita” e njerëzve të Allajbeut ishte një prej kompanive kryesore që përfitoi nga tenderat “sekretë” me fond miliona euro, të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar në atë kohë nga Ogerta Manastirliu, për blerjen e testeve për Covid-19.
Në raportimet e kohës, “Boldnews.al” ka evidentuar se procedurat e Ministrisë ishin të tilla, që fitues të pilotohej “Evita” shpk./Boldnews
Po ndodh...
Rama dhe Berisha “rrëzohen” nga rasti Dodik
ide
Vetmia e madhe e Perëndimit dhe demokracisë liberale
Paratë e korrupsionit po blejnë kohë politike.
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
