“Mund të jem parë si tradhtar nga disa”, Çollaku: Primaret të deformuara, asnjë kandidat nuk paraqiti platformë

14 Mars 2025, 16:17 / POLITIKË ALFA PRESS

“Mund të jem parë si tradhtar nga disa”, Çollaku:

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, i ftuar në studion e News24, ka folur për kandidimin e tij në listat e hapura të PD si dhe për procesin e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

Në fjalën e tij, Çollaku pranoi se mund të jetë parë nga disa si “tradhtar”, por theksoi se ka qenë gjithmonë i sinqertë në mendimet dhe kritikat e tij.

“Një parti e emancipuar si PD duhet të pranojë mendimin ndryshe. Nëse do të funksiononim si matrioshkat ruse, nuk do të ishim një parti e vërtetë,” u shpreh ai.

Duke analizuar procesin e primareve, Çollaku ngriti shqetësime mbi mënyrën se si u zhvilluan ato brenda PD-së, duke i cilësuar të deformuara dhe të paorganizuara.

“Mund të jem parë nga disa si tradhtar. Unë kam dhënë mendimin tim gjithmonë dhe mendoj se një parti e emancipuar si PD është dhe duhet të jetë është një parti që pranon kritikën dhe të ndryshmen brenda vetes, se po të ishim si matrioshkat ruse, nuk do ishte parti.
A mund të ketë pasur një kosto të tillë, edhe mund të ketë qenë, por unë mendoj se ishte deformimi dhe mos organizimi, sistemi i primareve në PD. Ne themi si primaret amerikane, por në primaret amerikane ballafaqohen platformat. Nuk keni dëgjuar asnjë kandidat në primare të paraqesë platformën e tij politike në primare dhe nuk merret vetëm vota e anëtarësisë, por e gjithë publikut”, u shpreh ai.