Pse drejtimi i Policisë Bashkiake Vlorë është një “Mision i Pamundur”? Drejtorët “digjen” njëri pas tjetrit, përgjegjësia bie mbi kryetaren Mersini

27 August 2026, 17:47 / POLITIKË ALFA PRESS
Pse drejtimi i Policisë Bashkiake Vlorë është një

Qyteti i Vlorës po përjeton një zhvillim të pandalshëm dhe një transformim rrënjësor strategjik. Me një vijë bregdetare prej më shumë se 90 kilometrash, një aeroport ndërkombëtar në prag hapjeje, portin për mallra dhe pasagjerë, si dhe një fluks sezonal që kalon mbi 400,000 vizitorë, Vlora është padyshim kryeqendra e turizmit dhe ekonomisë në Jug të vendit.

Po a i përgjigjen dot institucionet vendore vlonjate këtij zhvillimi?
Ndërsa investimet shumëfishohen dhe sfidat urbane bëhen gjithnjë e më komplekse, disa hallka të rëndësishme  duket se po kolapsojnë nën peshën e këtij transformimi. Një nga shembujt më flagrantë të kësaj krize institucionale është Policia Bashkiake Vlorë. Kjo ngre një pikëpyetje të madhe në qytet: pse drejtorët e Policisë Bashkiake në këtë qytet ndërrohen kaq shpesh? Pse ky post është kthyer në një "karrige elektrike" në të cilën asnjë drejtues nuk mund të ulet gjatë?
Përgjigjja nuk gjendet te mungesa e aftësive menaxheriale, inkompetenca apo te spekulimet për korrupsion të drejtorëve të policisë bashkiake Vlorë. E vërteta është e dokumentuar qartë, e zezë mbi të bardhë, në relacionet e njëpasnjëshme dhe analizat e kapaciteteve reale që i janë dërguar kryetarëve të bashkisë nga çdo drejtor i policisë bashkiake këto 5 vjetët e fundit.
Të dhënat zyrtare tregojnë një realitet tronditës: drejtuesit po përballen çdo ditë me një mision objektivisht të pamundur. Sipas standardeve kombëtare të sigurisë publike dhe VKM nr. 452/2023, një bashki me përmasat e Vlorës, e cila shtrihet në një sipërfaqe të gjerë prej 647 kilometrash katrorë, duhet të ketë të paktën 1 efektiv për çdo 4-5 km² apo 1 efektiv për çdo 1,500-2,000 banorë. Kjo do të thotë se për të garantuar rendin dhe sigurinë, Vlora ka nevojë urgjente për 130 deri në 150 punonjës të Policisë Bashkiake.
Por, cili është realiteti? Struktura e miratuar me VKB nr. 92 prej 60 punonjësish është vetëm një numër në letër. Aktualisht janë në detyrë rreth 41 deri në 43 efektivë aktivë. Pra, Policia Bashkiake operon me më pak se 30% të kapacitetit të saj të nevojshëm, duke lënë një boshllëk të frikshëm prej gati 18 vendesh vakante vetëm për të plotësuar minimumin e lejuar organikisht nga vetë Bashkia.

Shifra dhe fakte

Territori: 647 km², nga Ura e Mifolit deri në Llogara.
• Popullsia: Rreth 190,000 rezidentë (mbi 400,000 në sezonin turistik).
• Struktura e domosdoshme: 130 - 150 punonjës.
• Efektivë aktualë në dispozicion: Vetëm 41 - 43 punonjës.

 Një analizë e ditëve të punës dhe ndarjes së shërbimeve e kthen situatën në alarmante. Çdo punonjës ka të drejta të panegociueshme ligjore bazuar në Kodin e Punës: pushime javore, leje vjetore 30-ditore, festa zyrtare dhe mungesa të përligjura shëndetësore. Të mbledhura së bashku, këto krijojnë mesatarisht 169 ditë jo-pune në vit për çdo polic. Për rrjedhojë, një punonjës shërben realisht vetëm 196 ditë brenda vitit kalendarik.
Përkthyer në kapacitet ditor, institucioni mund të nxjerrë në terren një maksimum prej rreth 22 punonjësish. Megjithatë, as kjo shifër nuk është e lirë për patrullim! Nga ky total, të paktën 10 punonjës janë të “ngujuar” në shërbime fikse: Pika e grumbullimit të mbetjeve, ruajtja e godinës së Bashkisë, operatori i gjobave dhe zyra e informacionit. Çfarë mbetet për të kontrolluar 647 kilometrat katrorë të Vlorës? Vetëm 12 punonjës! Duke i ndarë këta në 3 turne për të mbuluar shërbimin jetik 24-orësh, rezultati është i frikshëm dhe komik njëkohësisht: qyteti i Vlorës patrullohet nga vetëm 4 punonjës policie për turn. Katër njerëz për të mbuluar një metropol turistik në zhvillim!
Këta 4 njerëz përballen në terren me një mal që numëron mbi 60 detyra ligjore. Ata pritet të menaxhojnë trafikun kaotik, të ndëshkojnë ndërtimet pa leje, të lirojnë hapësirat publike të zaptuara, të monitorojnë qindra stacione plazhi, të kontrollojnë ndotjen akustike nga klubet e natës dhe të mbrojnë mjedisin. Është një anomali organizative ku ngarkesa kalon çdo limit njerëzor. Gjatë sezonit veror kërkesa shumëfishohet, ndërsa mundësia për orë shtesë kufizohet nga ligji dhe shpesh refuzohet nga vetë punonjësit për shkak të lodhjes kronike.
Pasoja e këtij presioni është një eksod masiv i stafit. Të pamotivuar, të mbingarkuar dhe të keqpaguar për rrezikun që marrin përsipër, punonjësit po largohen. Dokumentet zyrtare dëshmojnë se shumë efektivë po aplikojnë për pozicione si punonjës sigurie pranë Aeroportit të Vlorës apo po transferohen në Akademinë e Policisë së Shtetit, ku pagat dhe kushtet e punës ofrojnë më shumë dinjitet.
Kjo pamundësi e plotë e kthen këdo Drejtor të Policisë Bashkiake në të dështuar pa nisur punë. Kur qytetarët ankohen me të drejtë për muzikë të lartë në orën 2 të mëngjesit apo për trotuare të bllokuara, përgjegjësia i faturohet drejtorit. Por asnjë drejtues, sado vizionar apo i rreptë të jetë, nuk mund ta mbajë qytetin nën kontroll me vetëm 4 policë në turn.
Të ndërrosh drejtorët pa i dhënë zgjidhje këtij hendeku strukturor duke u perpjektur te devijosh burimin e deshtimit  dhe ta fokusosh tek paaftesia e drejtuesit, kushdo qofte ai, eshte kohe dhe energji e cuar dem. Derisa Bashkia Vlore ta kerkoje dhe  Këshilli Bashkiak Vlorë të akordojë buxhetet e nevojshme, të rekrutojë staf për të arritur shifrën minimale prej 130-150 efektivësh dhe të heqë policët nga detyrat si roje godinash, karrigia e Drejtorit të Policisë Bashkiake në Vlorë do të vazhdojë të mbetet makthi më i madh për çdo oficer karriere që do ta lakmojë.
Ndërkohë, përgjegjësia për këtë kolaps rëndon drejtpërdrejt mbi Kryetaren e Bashkisë Bruna Mersinin , e cila duket se ka humbur busullën e prioriteteve. 
Është paradoksale se si institucioni vendor justifikohet me pamundësinë financiare për të rritur buxhetin, për të shtuar organikën dhe për të rregulluar pagat e policëve bashkiak, por nga ana tjetër kalon pa asnjë hezitim apo ngërç çdo tender të mundshëm, përfshirë edhe tenderat qindra milionësh për menaxhimin e qenve të rrugës. 
Të kalosh me lehtësi prokurime të tilla dhe të mos menaxhosh dot mbijetesën e drejtorisë më kyçe që mban peshën e rendit, sigurisë dhe zbatimit të ligjit në qytet, nuk është thjesht mungesë fondesh, por një tregues i qartë se per kete  këtë bashki dhe kete kryetare , qentë kanë më shumë rëndësi sesa rendi dhe ligji./ Blu.tv

Po ndodh...