Leo Messi me trajner të ri, dikur e ka pasur shok skuadre te Argjentina

28 August 2026, 16:02 / SPORT ALFA PRESS

Inter Miami ka zyrtarizuar Cristian Alberto “Kily” González si trajnerin e ri të skuadrës, duke i besuar ish-futbollistit të Interit drejtimin e ekipit ku protagonisti kryesor është Lionel Messi.

Klubi amerikan konfirmoi marrëveshjen, ndërsa González do të marrë zyrtarisht detyrën pasi të pajiset me lejen përkatëse të punës në Shtetet e Bashkuara.

Argjentinasi do të zëvendësojë Guillermo Hoyos, i cili kishte drejtuar ekipin pas largimit të Javier Mascheranos në muajin prill. Deri në përfundimin e procedurave të lejes së punës për trajnerin e ri, Hoyos do të vijojë përkohësisht në krye të skuadrës.

Emërimi i Kily González përfaqëson një rikthim të veçantë për ish-lojtarin në futbollin italian. Ai ka veshur fanellën e Interit nga viti 2003 deri në vitin 2006, duke regjistruar 75 paraqitje me klubin zikaltër dhe duke fituar trofe gjatë periudhës së tij në Milano.

Tashmë, 52-vjeçari përballet me sfidën më të madhe të karrierës së tij si trajner. González ka drejtuar më parë Rosario Central, Unión dhe Platense në Argjentinë, ndërsa aventura në Miami do të jetë eksperienca e tij e parë si trajner jashtë vendit.

Detyra e re vjen në një moment delikat për Inter Miamin. Skuadra ka kaluar një periudhë të vështirë në rezultate dhe ka regjistruar pesë ndeshje radhazi pa fitore, çka ka shtuar presionin mbi klubin për të ndryshuar situatën.

Kily González do të gjejë në dhomat e zhveshjes edhe Lionel Messin, me të cilin ka ndarë më herët fanellën e Argjentinës.

Po ndodh...