Qeveria lë në mëshirë të fatit blegtorët/ Bie prodhimi vendas, Shqipëria mbushet me qumësht të importuar

29 September 2026, 18:11 / POLITIKË ALFA PRESS

Blegtoria prej disa vitesh është në rënie të lirë.

Ajo po përballet me një tkurrje të vazhdueshme, që po reflektohet në fermat shqiptare, në numrin e krerëve dhe tashmë edhe në sasinë e qumështit që prodhohet në vend.

Kostot e larta të ushqimit të kafshëve dhe karburantit, fermat e vogla dhe të fragmentuara dhe produktiviteti i ulët po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbajtjen e aktivitetit blegtoral.

Në anën tjetër të zinxhirit, industria përpunuese ka nevojë për furnizim të qëndrueshëm dhe të standardizuar, çka po e shtyn tregun drejt lëndës së parë dhe produkteve të importuara.

Ndërsa prodhimi vendas tkurret, importet e qumështit dhe produkteve të bulmetit po fitojnë më shumë hapësirë në tregun shqiptar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se prodhimi i qumështit ra nga rreth 1.013 milionë tonë në vitin 2021 në 868.3 mijë tonë në vitin 2025.

Në të njëjtën periudhë, sektori blegtoral është përballur me rënie në numrin e krerëve, veçanërisht te delet dhe dhitë.

IPARD-i, një burim investimesh i bllokuar prej tre vitesh

Një tjetër element në historinë e mbështetjes së bujqësisë është programi IPARD.

Komisioni Europian e pezulloi financimin e IPARD për Shqipërinë në korrik 2023.

OECD raportoi se pezullimi erdhi pas rasteve të raportuara të parregullsive dhe dyshimeve për mashtrim në programet IPA dhe IPARD.

Në vitin 2025, Ministria e Bujqësisë raportoi se po punohej për zbatimin e hapave të nevojshëm për IPARD III, ndërsa në prill 2026 Ministria e Financave njoftoi se kishte dorëzuar paketën e akreditimit për hapjen e fondeve të IPARD III.

Sipas ministrisë, synimi ishte që fondet të çeleshin gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, pas vlerësimit nga Komisioni Europian.

Por afati ka kaluar dhe fondet nuk janë hapur.

Për një sektor që kërkon investime në mekanizim, pajisje, stalla dhe rritje produktiviteti, ndërprerja e këtij financimi ka qenë një tjetër pengesë për fermerët dhe bizneset e agropërpunimit.

Sa fermerë ka sot Shqipëria?

Sipas Regjistrit të Biznesit të INSTAT, në fund të vitit 2025 në Shqipëri rezultonin 112.205 fermerë, 6.1% më shumë se një vit më parë.

Kjo shifër i referohet fermerëve të regjistruar në regjistrin e njësive ligjore dhe nuk duhet të barazohet me numrin e personave që merren aktivisht me blegtori apo me numrin e fermave blegtorale.

INSTAT publikon veçmas statistikat për fermat blegtorale dhe numrin e krerëve.

Pra, problemi i sektorit nuk mund të matet vetëm me numrin e fermerëve të regjistruar. Sfida është sa prej tyre prodhojnë në mënyrë ekonomike, sa qumësht arrijnë të dorëzojnë në mënyrë të formalizuar dhe me çfarë kostoje.

Pilku: Nuk prodhojmë dhe grumbullojmë në mënyrë të qëndrueshme

Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Ilir Pilkut, problemi kryesor i sektorit nuk është vetëm mungesa e qumështit, por pamundësia për të prodhuar, grumbulluar dhe standardizuar në mënyrë të qëndrueshme sasinë që kërkon industria përpunuese.

Një nga problemet kryesore, sipas tij, është struktura e fermave shqiptare.

“Pjesa më e madhe e tyre janë shumë të vogla, shpesh me vetëm 1–4 lopë, ndërsa rendimenti për krerë mbetet i ulët. Kësaj i shtohen kostot e larta të ushqimit blegtoral, mungesa e mekanizimit, fuqisë punëtore dhe tokës së konsoliduar”, vëren ai për Faktoje.

Pilku vlerëson se rreth 70–80% e qumështit nuk kalon në kanalet e përpunimit formal, por tregtohet në mënyrë informale ose përdoret nga vetë familjet.

Sipas tij, hendeku mes prodhimit vendas dhe nevojave të industrisë po plotësohet gjithnjë e më shumë nga importet.

Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të cituara nga Pilku, Shqipëria importoi rreth 19.8 milionë dollarë qumësht të ambalazhuar, 42.2 milionë dollarë djathë dhe gjizë dhe rreth 9 milionë dollarë kos.

Në total, sipas tij, importet e produkteve të bulmetit arritën në rreth 7.74 miliardë lekë, ndërsa eksportet në rreth 629 milionë lekë.

Fermeri përballë kostove dhe çmimit të tregut

Kostoja e prodhimit është një tjetër barrë për fermerin.

Sipas ekspertit Ervin Resuli, shpenzimet për karburantin, inputet bujqësore, ushqimin e kafshëve dhe shërbimet veterinare janë rritur, duke e çuar koston e prodhimit të një litri qumësht në rreth 48–50 lekë.

Në varësi të fermës, cilësisë së qumështit dhe kontratës me grumbulluesin, çmimi i grumbullimit varion, deri në 55 lekë për litër.

Kjo e vendos një pjesë të fermerëve në një situatë ku çmimi me të cilin shesin qumështin është në kufijtë e kostos, ose edhe poshtë saj.

Diferenca bëhet më e dukshme kur krahasohet me çmimin që paguan konsumatori.

Sipas INSTAT, një litër qumësht i freskët shitej mesatarisht me 154.1 lekë në treg, me TVSH.

Kjo nuk do të thotë se diferenca prej rreth 100 lekësh për litër është fitim i humbur i fermerit, pasi mes fermës dhe konsumatorit janë disa hallka të tjera të zinxhirit- grumbullimi, përpunimi, ambalazhimi, transporti dhe tregtimi.

Por raporti mes dy çmimeve tregon qartë peshën e ulët që ka çmimi i fermës në vlerën që paguan konsumatori: me një çmim grumbullimi 45–55 lekë, fermerit i shkon rreth 29–36% e çmimit mesatar të qumështit të freskët në treg.

Për fermerin, problemi nuk është vetëm çmimi i ulët i grumbullimit, por fakti se ky çmim duhet të përballojë ushqimin e kafshëve, punën, energjinë, shërbimet dhe kostot e tjera të prodhimit.

Kur marzhi mbetet minimal ose negativ, investimi në zgjerimin e tufës, mekanizim apo përmirësimin e produktivitetit bëhet gjithnjë e më i vështirë.

“Fermerët nuk kanë mundësi të rrisin kapacitetet, të investojnë në teknologji apo të rinovojnë tufat”, thotë Resuli për Faktoje.al duke shtuar se një pjesë e fermerëve po reduktojnë numrin e lopëve, po mbyllin aktivitetin ose po çojnë për mish edhe kafshë që më parë përdoreshin për prodhimin e qumështit.

Në një mendje me të është dhe Selim Bala, një fermer nga Peshkopia i cili vëren për Faktoje se kostoja e mbajtjes së bagëtive është rritur shumë ndërkohë që fitimi nga ana tjetër është i paktë.

“Unë kam dhjetra krerë bagëti për momentin por jo për shumë kohë. Nuk ia vlen barra qiranë. Është sfidë e përditshme mbajtja e tyre nga ana financiare përsa kohë nuk marr subvencione nga shteti”, thotë ai për Faktoje ndërsa shton se qumështin e shet individualisht në disa familje në fshat, me 100 lekë/litrin.

Resuli e lidh këtë presion mbi prodhuesin vendas me rritjen e importeve.

Sipas tij, për periudhën janar 2026, importet e qumështit u rritën me rreth 47% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Harta e vendeve nga ku Shqipëria importon më shumë

Në Shqipëri, sipas Resulit, qumështi vjen nga vende si Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Ndërsa sipas WITS, një platformë e Bankës Botërore që ofron të dhëna për importet, eksportet dhe tarifat tregtare, në tregun shqiptar importojnë qumësht kryesisht Hungaria, Italia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Të dhënat tregojnë se renditja e furnizuesve ka ndryshuar në vite.

Në periudhën 2021–2023, Serbia ishte një nga furnizuesit kryesorë dhe në vitin 2023 kaloi në vendin e parë, me rreth 7.8 milionë kilogramë qumësht të importuar në Shqipëri.

Në vitin 2024, megjithatë, importet nga Serbia ranë ndjeshëm, ndërsa Hungaria kaloi në vend të parë.

Pse qumështi serb është më konkurrues për importuesit shqiptarë?

Ng të dhënat zyrtare, Serbia ka një peshë shumë më të madhe në importet shqiptare të qumështit të lëngshëm sesa Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova pothuajse nuk shfaqet në këtë kategori.

Sipas ekspertëve, këtu ndikojnë disa faktorë.

Ata thonë se arsyet lidhen kryesisht me çmimin konkurrues, kapacitetet e larta të prodhimit ndërsa ndikojnë edhe kostot e transportit, afërsia me tregun dhe kontratat tregtare me importuesit shqiptarë.

Ndërkohë, sipas tyre Maqedonia e Veriut nuk është një alternativë e krahasueshme në volum.

Në vitin 2024, nga të dhënat e fundit të disponueshme, Maqedonia e Veriut eksportoi në Shqipëri vetëm 161 mijë kg qumësht, ndërsa vetë ajo importoi mbi 25 milionë kg, kryesisht nga Bosnje-Hercegovina dhe Serbia.

Pra, edhe pse është gjeografikisht shumë pranë Shqipërisë, nuk duket se ka të njëjtën tepricë të disponueshme për eksport.

Një tjetër shqetësim që ngre Resuli lidhet me gjurmueshmërinë.

Sipas tij, konsumatori duhet të ketë informacion të qartë mbi origjinën e lëndës së parë të përdorur në produktet e bulmetit.

“Industria jonë përpunuese rrezikon të kthehet në fasoneri të përpunimit dhe paketimit të produkteve me origjinë të huaj”, argumenton ai, duke kërkuar më shumë transparencë mbi origjinën e qumështit.

Si e mbështesin vendet e rajonit prodhimin e qumështit

Një nga dallimet mes tregut shqiptar dhe vendeve fqinje lidhet me mënyrën e mbështetjes së prodhimit.

Në Serbi, për vitin 2025 shteti aplikoi një pagesë prej 19 dinarësh për litër qumësht të dorëzuar te përpunuesit e regjistruar.

Përveç kësaj, fermerët përfitonin edhe 55 mijë dinarë për lopë qumështi, ndërsa për ripërtëritjen e tufës parashikohej një mbështetje prej 100 mijë dinarësh për mëshqerrë.

Në Maqedoninë e Veriut, pagesa direkte për periudhën e mbështetur në vitin 2025 ishte 6 denarë për litër për qumështin e lopës dhe 7 denarë për litër për qumështin e deleve dhe dhive.

Përfitues ishin fermerët e regjistruar që dorëzonin qumësht te blerës të regjistruar.

Në Kosovë, skema e pagesave direkte për vitin 2025 parashikonte mbështetje për qumështin sipas cilësisë, me 7 eurocent për litër për qumështin e klasës ekstra, 4 eurocent për klasën e parë dhe 2 eurocent për klasën e dytë.

Krahasimi nuk do të thotë se këto skema janë të njëjta me kushtet e Shqipërisë, por tregon se në të dyja vendet fqinje mbështetja lidhet drejtpërdrejt me sasinë e qumështit të prodhuar dhe të dorëzuar në kanalet e formalizuara.

Mbështetja fiskale për fermerët u përgjysmua, më pas u hoq

Në Shqipëri, ndërkohë, skema e kompensimit të TVSH-së ka pësuar ndryshime të rëndësishme.

Deri në fund të vitit 2018, fermerët përfitonin një kompensim prej 20% në kuadër të skemës së posaçme të TVSH-së.

Nga janari 2019, norma u ul në 6%. Më pas, me paketën fiskale 2022, skema e kompensimit të fermerëve u eliminua, duke kaluar nga 6% në 0%.

Kjo do të thotë se fermeri shqiptar nuk ka sot një pagesë direkte për çdo litër qumësht të prodhuar, të krahasueshme me skemën që aplikohet në Serbi.

Ekspertët: Sektori kërkon një tjetër model mbështetjeje

Të dy ekspertët e lidhin zgjidhjen me ndryshimin e mënyrës së mbështetjes së sektorit. Problemi, sipas tyre, nuk zgjidhet vetëm duke ruajtur numrin e kafshëve, por duke e bërë fermën më produktive dhe më konkurruese.

Në të njëjtën kohë, formalizimi i qumështit mbetet një hallkë e rëndësishme. Lidhja më e qëndrueshme mes fermerit dhe përpunuesit do t’i jepte industrisë siguri për furnizimin dhe fermerit një treg më të parashikueshëm.

“Subvencioni direkt është i nevojshëm për emergjencën, por vetëm ulja e kostos së ushqimit, mekanizimi dhe lidhja e mbështetjes me qumështin e formalizuar mund të bëjnë sektorin konkurrues. Objektivi nuk duhet të jetë thjesht të mbajmë numrin e lopëve, por të prodhojmë më shumë qumësht cilësor për krerë, me kosto më të ulët dhe me treg të garantuar.

Ndërhyrja me efektin më të madh do të ishte një paketë e integruar për uljen e kostos së prodhimit dhe rritjen e produktivitetit, e lidhur me dorëzimin formal të qumështit.

Nëse duhet zgjedhur një prioritet, do të zgjidhja mbështetjen e racave prodhuese, prodhimit dhe sigurimit të ushqimit blegtoral, të kombinuar me mekanizimin e fermave”, mbyll Pilku për Faktoje.

/Faktoje

Po ndodh...

ide