Shpëtohen 205 emigrantë në jug të Kretës dhe pranë Gavdos, katër operacione brenda pak orësh

Të paktën 205 emigrantë janë shpëtuar brenda pak orësh në katër operacione të zhvilluara në jug të Kretës dhe pranë ishullit Gavdos, njofton Roja Bregdetare Greke.
Operacionet u kryen nën koordinimin e Qendrës së Përbashkët të Koordinimit të Kërkimit dhe Shpëtimit (EKSED), me mbështetjen e mjeteve ajrore pa pilot të agjencisë evropiane Frontex dhe të anijeve patrulluese të Rojës Bregdetare. Dy operacionet e fundit u zhvilluan gjatë mëngjesit, rreth 24 milje detare në jug të Gavdos, ku u shpëtuan gjithsej 102 persona nga dy mjete lundruese.
Në rastin e parë, një dron i Frontex identifikoi një varkë me 42 persona në bord. Ata u morën nga një anije patrulluese dhe u transportuan në portin e Paleochorës, në Hania. Në të njëjtën zonë u lokalizua edhe një varkë e dytë, me 60 persona, të cilët u shpëtuan dhe po transportoheshin drejt të njëjtit port.
Më herët, para agimit, ishin zhvilluar edhe dy operacione të tjera, ku u shpëtuan rreth 103 emigrantë. Operacioni i parë u krye rreth 50 milje detare në juglindje të Kala Limenas, ku u lokalizua një varkë me 54 persona. Pas shpëtimit, ata u transportuan në portin e Kala Limenas.
Ndërsa operacioni i dytë u zhvillua rreth 24 milje detare në jugperëndim të Ierapetrës. Në një varkë u gjetën 49 persona, të cilët u shpëtuan nga Roja Bregdetare dhe u dërguan drejt portit të Ierapetrës.
Sipas autoriteteve greke, në të katër rastet, mjetet lundruese u pikasën fillimisht nga dronët e Frontex. Kushtet atmosferike në zonat ku u zhvilluan operacionet raportohen të kenë qenë të mira.
Po ndodh...
Pasqyra ku nuk shihet asgjë
ide
Kur humori bëhet alibi dhe një përgjigje Filip Çakulit
Faik Konica, Njeriu-Histori dhe Historia-Njeri
Pse Rama nuk jep dorëheqjen?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
