Superiore/ Dinamo nuk ndalet, mposht Laçin dhe feston fitoren e katërt radhazi

19 September 2026, 21:15 / SPORT ALFA PRESS

Dinamo vazhdon marshimin në Kategorinë Superiore. Blutë kanë regjistruar fitoren e katërt radhazi në kampionat, duke mposhtur Laçin me rezultatin 3-1 në “Elbasan Arena”, në një ndeshje të luftuar dhe me disa momente të diskutueshme.

Dinamo e gjeti golin e avantazhit në minutën e 22-të. Lorran u shkëput në krahun e majtë, hyri në zonë dhe goditi menjëherë, duke përfituar edhe nga pasiguria e portierit Guri për të dërguar topin në rrjetë.

Avantazhi i bluve zgjati vetëm tri minuta. Laçi reagoi menjëherë dhe barazoi në minutën e 25-të me Gamarra, i cili goditi nga jashtë zonës dhe mposhti Teqjen.

Në fundin e pjesës së parë, Laçi mbeti me 10 lojtarë. Në minutën e 42-të, Gamarra u ndëshkua fillimisht me karton të verdhë për një faull ndaj Berishës, por pas ndërhyrjes së VAR-it, gjyqtari e ndryshoi vendimin dhe e ndëshkoi me karton të kuq, pasi e cilësoi lojtarin e fundit.

Në pjesën e dytë, Dinamo shfrytëzoi epërsinë numerike dhe kaloi sërish në avantazh në minutën e 55-të. Një top i devijuar në qendër përfundoi tek Vila, i cili nuk gaboi përballë Gurit dhe shënoi për 2-1.

Laçi tentoi të reagonte dhe në minutën e 86-të ishte shumë pranë barazimit, por goditja e Azizi nga një goditje dënimi u ndal në shtyllë.

Në fund, Dinamo vulosi fitoren. Në minutën e 92-të, Ferruku shërbeu për Ruçin, i cili realizoi me një goditje diagonale për 3-1. Laçi protestoi për një faull në fillim të aksionit, por goli u konfirmua.

Kështu, Dinamo merr tri pikët e radhës dhe regjistron fitoren e katërt radhazi në kampionat.

Image

Po ndodh...

ide