Tërmeti më i fuqishëm në 40 vite trondit Napolin, dëme në banesa dhe kaos në transport
Lëkundja me magnitudë 4.7, me epiqendër në Campi Flegrei, shkaktoi ndërprerje të energjisë, bllokim të metrosë dhe dëmtime në disa zona. Autoritetet thonë se deri tani nuk ka viktima.
Një tërmet me magnitudë 4.7 ka goditur mbrëmjen e së premtes Napolin dhe zonat përreth, duke u cilësuar si lëkundja më e fortë e regjistruar që nga rifillimi i fenomenit të bradizmit në zonën e Campi Flegrei. Pra më i forti në 40 vite. Tërmeti u regjistrua në orën 19:46, ndërsa epiqendra u lokalizua rreth 6 kilometra nga Napoli, sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV).
Lëkundja u ndje në të gjithë qytetin dhe në provincën e Napolit, duke shkaktuar panik te banorët, të cilët dolën në rrugë menjëherë pas tërmetit.
Shërbimi zjarrfikës italian mori dhjetëra telefonata për ashensorë të bllokuar, rënie suvaje dhe copash betoni nga ndërtesat, ndërsa është raportuar edhe një kërkesë për ndërhyrje pas shembjes së një tavani në një objekt. Prefektura e Napolit ka aktivizuar menjëherë Qendrën e Koordinimit të Ndihmës, ku marrin pjesë të gjitha institucionet përgjegjëse për menaxhimin e emergjencës.
Në disa lagje të Napolit pati ndërprerje të energjisë elektrike, gjë që solli probleme edhe me shërbimet e internetit. Në zonën e Mergellina u bllokua metroja, ndërsa për arsye sigurie u pezullua qarkullimi hekurudhor në të gjithë nyjën hekurudhore të Napolit, përfshirë edhe linjat e trenave me shpejtësi të lartë.
Ndalimi prek trenat Alta Velocità, Intercity dhe ata rajonalë, ndërsa teknikët e Rrjetit Hekurudhor Italian (RFI) kanë nisur kontrollet në infrastrukturë. Trafiku hekurudhor do të rifillojë vetëm pasi të përfundojnë verifikimet dhe të konfirmohet siguria e linjave.

Në qytetin e Pozzuolit, një nga zonat më pranë epiqendrës, bashkia ka aktivizuar Qendrën Operative Komunale (COC) për koordinimin e monitorimit dhe ndihmës ndaj popullsisë. Autoritetet lokale janë në kontakt të vazhdueshëm me Observatorin Vezuvian, Mbrojtjen Civile dhe institucionet e tjera kompetente, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin vetëm komunikimet zyrtare.
Ndërkohë, po përgatiten zonat e pritjes së Mbrojtjes Civile për çdo nevojë të mundshme. Sipas autoriteteve lokale, një pjesë e shpatit të zonës vullkanike Solfatara është shembur, ndërsa në disa rrugë janë regjistruar dëmtime në rrjetin e ujësjellësit, me rrjedhje uji në sipërfaqen e rrugëve.
Kryebashkiaku i Bacolit, Josi Della Ragione, deklaroi për mediat italiane se kjo është "lëkundja më e fortë e regjistruar ndonjëherë" në zonë. Ai tha se qytetarët janë të frikësuar, por deri në këto momente nuk raportohen viktima apo të lënduar. Sipas tij, pas tërmetit është thirrur menjëherë Qendra e Koordinimit të Ndihmës në Prefekturën e Napolit, ndërsa në Bacoli janë hequr kufizimet e qarkullimit në zonat me trafik të kufizuar për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve të emergjencës.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa kontrollet në ndërtesa, rrugë dhe infrastrukturë janë ende në zhvillim.
Po ndodh...
Berisha plaket "kur do vetë”, por PD po jep shpirt!
ide
Fundi i iluzionit të diplomacisë
Poliçani është vetëm fillimi i shpërthimit të krizës
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128