"The Albanian Files"/ Berisha kërkon ti rrëmbejë një nga kauzat Protestës: PD do dorëzojë padi për 'Librin e Kuq' të Edi Ramës

11 July 2026, 12:47 / POLITIKË ALFA PRESS
"The Albanian Files"/ Berisha kërkon ti rrëmbejë

Në datën 1 Korrik, një përfaqësi e Protestës u paraqit në ambientet e SPAK dhe dorëzoi si provë, librin "The Albanian Files". Sipas tyre, libri është përmbledhje e krimeve të kryera dhe në tentativë nga kryeministri Rama me zonat e mbrojtura dhe një plan për pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit. Sidorela Vatnika e cila dorëzoi personalisht librin si provë, i cili u pranua nga SPAK, deklaroi në emër të Protesës, se së shpejti, për të do të ketë edhe kallëzim penal. Për SPAK protestuesit, shprehën mbështetje të plotë për të hetuar kryeministrin dhe njoftuan se juristë të ndryshëm po përgatisin padinë në fjalë. Alfapress.al, ka mësuar se padia e përgatitur në mënyrën më profesionale nga juristë mbështetës të protestës, është drejt përfundimit dhe së shpejti do të dorëzohet në SPAK.

Por kreu i PD, Sali Berisha, i cili fillimisht e sulmoi Protestën më egër se Edi Rama, (I quajti "mjeranë" dhe "dorë mafioze"), ashtu siç po përpiqet më kot të përfitojë politikisht nga Protesta duke bërë sikur nuk e kupton dhe dëgjon, "Rama në burg, Berisha në burg", ka vendosur ti rrëmbejë Protestës kauzën e denoncimit në SPAK të projektit mafioz të Ramës, "The Albanian Files".

Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit e tij në FB këtë të shtunë, ai bëri me dije se PD do të dorëzojë së shpejti në Prokurori një kallëzim mbi atë që e quajti “Libri i Kuq i Edi Ramës”, dokument që sipas tij përmban akuza për 523 vepra penale. Kështu ai i mbivendoset aksionit të Protestës siç edhe ka bërë me futjen e militantëve të PD të cilët herë pas here kanë tentuar ti fusin protestuesit në rrugën e dhunës dhe gjuhës banale dhe linçuese. Raste këto që janë përdorur nga propaganda për të bërë pis protestën qytetare.

FJALA E BERISHËS:

Këtë javë përsëri Shqipëria ishte në krye të lajmeve në Evropë dhe në botë.

Kryengritja e fuqishme paqësore rinore qytetare, që kaloi 41 ditë me pjesëmarrjen më të madhe që nga vitet ’90 në historinë e vendit, ka fituar mbështetje dhe simpati të madhe ndërkombëtare.

Në këtë kuadër mund të them se kjo kryengritje po gjen mbështetje të gjerë në të gjithë spektrin politik evropian, por edhe qytetarët e vendeve të lira të Evropës.

Nga ana tjetër, Edi Rama damkoset çdo ditë e më shumë si një narkodiktator për të cilin ligjet dhe Kushtetuta e vendit janë një letër e vdekur.

Libri i Kuq i Edi Ramës është 750 faqe aktakuzë për 523 vepra kriminale.

Është de facto trajtimi i Shqipërisë nga Edi Rama si çiflig familjar dhe dorëzim i këtij çifligu në duart e mafies shqiptare dhe botërore.

Kurrë ndonjëherë, një qeveritar nuk do mund të guxonte as të imagjinonte të vepronte në këtë mënyrë përveç këtij bastardi, që me mendësinë e bllokmenëve hoxhistë të cilëve u përket, beson dhe mendon se ai në Shqipëri është mbi Kushtetutën, mbi ligjet, mbi urbanistikën, mbi pronën, mbi mjedisin dhe ka synim më kryesor miliardat e tij.

Natyrisht ky është një aktakuzë që atë do ta ndjekë gjithë jetën dhe përfaqësuesit e protestës e kanë dorëzuar në prokurori akuzën e tyre, grupi parlamentar i PD do ta dorëzojë së shpejti po në prokurori një aktakuzë mbi të gjitha veprat penale të kësaj dosje./Alfapress.al

Po ndodh...

ide