Tre avionët zjarrfikës, akuza për mungesë transparence/ Ministria kundërpërgjigjet: PD po shpif
Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një reagim lidhur me deklaratën e bërë së fundmi nga Partia Demokratike mbi procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve.
Ministria e Mbrojtjes në reagim sqaron se çdo procedurë prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.
Ministria e Mbrojtjes gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur” apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin.
“Procedura është zhvilluar si procedurë konkurruese për qëllime ushtarake, në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik.
Po aq i pavërtetë është edhe pretendimi se kompania fituese ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike”, thuhet në njoftim.
Sipas reagimit të ministrisë, AVIATION TRADE EUROPE, S.L. ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe ruan të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedura publike prokurimi. Gjithashtu ministria shton se çdo procedurë zhvillohet me përgjegjësi të plotë, në respekt të ligjit dhe të interesit publik.
“Pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje tjetër gjyqësore në Spanjë, ku vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e asnjë operatori ekonomik nga procedurat e prokurimit.
Kompania ka vijuar të kontraktojë normalisht me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë vitet e fundit Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.
Investimi për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve është një projekt me rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar që çdo procedurë të zhvillohet me përgjegjësi të plotë, në respekt të ligjit dhe të interesit publik”, thuhet në reagim.
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
Ca njerëz paguhen për të mbajtur gojën mbyllur!
Nga Orwell te algoritmet
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128