“U kalua vija e kuqe”/ Nderimet për Ratko Mlladiq, eurodeputeti austriak kërkon ngrirjen e negociatave dhe fondeve për Serbinë

2 September 2026, 23:43 / BOTA ALFA PRESS
“U kalua vija e kuqe”/ Nderimet për Ratko Mlladiq, eurodeputeti

Eurodeputeti austriak, Helmut Brandstetter, i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Evropian të pezullojë menjëherë negociatat e anëtarësimit me Serbinë, si dhe të bllokojë të gjitha fondet dhe pagesat e BE-së drejt këtij vendi. Kërkesa e tij vjen pasi përfaqësues zyrtarë të qeverisë serbe nderuan publikisht ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiq, të dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Brandstetter, i cili është pjesë e grupit liberal “Rinovo Evropën” dhe raportues në hije i Parlamentit Evropian për Serbinë, theksoi se ky bllokim duhet të mbetet në fuqi derisa autoritetet e Beogradit të distancohen qartë dhe pa asnjë mëdyshje nga glorifikimi i kriminelëve të luftës. Po ashtu, ai kërkoi që deri atëherë të mos ndërmerret asnjë hap tjetër sa i përket integrimit të Serbisë në hapësirën Shengen.

“Ratko Mlladiq është dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Kur përfaqësues të autoriteteve të një vendi kandidat për anëtarësim në BE, pas vdekjes së tij, e glorifikojnë një person të tillë, është kaluar vija e kuqe. Kjo përbën tallje me viktimat dhe familjet e tyre dhe është në kundërshtim themelor me vlerat e Bashkimit Evropian”, deklaroi prerazi eurodeputeti.

Lajmet për përfshirjen e shtetit në nderimet ndaj Mlladiqit kanë nxitur edhe reagime të ashpra nga Uashingtoni, ku një kongresist amerikan e krahasoi këtë veprim sikur Gjermania t’i jepte nderime shtetërore Adolf Hitlerit.

 

 

Po ndodh...

ide