Verë historike në "La Fabrica”/ Real Madridi drejt kalimit të 200 milionë eurove nga shitja e talenteve, dy të tjerë në prag të largimit

14 August 2026, 19:11 / SPORT ALFA PRESS

Real Madridi pranë një “vere historike”: Dy talentë

Real Madridi po përjeton një verë të rëndësishme sa i përket largimeve nga akademia, me Manuel Angel dhe David Jimenez që pritet të ndahen nga klubi madrilen.

Të dy lojtarët vazhdojnë të stërviten me seriozitet në ambientet e “La Fabrica”, por e ardhmja e tyre nuk pritet të jetë më në Madrid. Ata janë në pritje të ofertave të përshtatshme, ndërsa interesimi për dy talentet nuk mungon nga klube të La Ligës, La Liga 2 dhe ligave të tjera evropiane.

Sipas të përditshmes spanjolle AS, Real Madridi i ka lënë jashtë ndeshjeve miqësore dhe zyrtare të Castillas, si masë paraprake për të shmangur ndonjë dëmtim që mund të komplikonte transferimin e tyre.

Manuel Angel ishte pranë largimit edhe verën e kaluar, kur për të kishte interesim të madh, veçanërisht nga Levante, ndërsa në garë ishte edhe Aston Villa. Megjithatë, mesfushori vendosi të qëndronte edhe një sezon në Madrid.

Ai mbajti shiritin e kapitenit sezonin e kaluar dhe, nën drejtimin e Alvaro Arbeloas e më pas Lopez De Lermës, u afrua edhe më shumë me ekipin e parë. Në fund të sezonit regjistroi shtatë paraqitje dhe 129 minuta me skuadrën seniore.

Në prag të largimit është edhe David Jimenez, një prej lojtarëve më të rëndësishëm të asaj gjenerate të akademisë së Real Madridit. Mbrojtësi i krahut të djathtë zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm, duke iu afruar shifrës së 20 asistimeve.

Në Valdebebas e konsiderojnë Jimenezin si një prej lojtarëve më teknikë të akademisë. Ai dallohet për kontributin ofensiv, ekzekutimin e goditjeve standarde dhe qetësinë me top, duke dhënë shpesh përshtypjen e një mesfushori të pozicionuar në krah.

Largimi i dy lojtarëve pritet ta çojë Real Madridin përtej 200 milionë eurove të ardhura nga shitjet e produkteve të akademisë. Vetëm marrëveshja për Jacobo Ortegan, në vlerë prej 10 milionë eurosh, e ka çuar totalin në mbi 199 milionë euro.

Disa drejtues në Valdebebas e kishin paralajmëruar më herët një “verë historike”, dhe shifrat e deritanishme duket se po e konfirmojnë këtë.

Ndër lojtarët e shitur nga akademia janë Nico Paz për 60 milionë euro, Gonzalo për 40 milionë, Víctor Muñoz për 20.5 milionë, Gila për 15 milionë, Álvaro Rodríguez dhe Álex Jiménez nga 12.5 milionë, Palacios dhe Jacobo Ortega nga 10 milionë, Fran García për 4 milionë, si dhe Mario Martín e Fran González nga 3 milionë euro.

Në disa prej këtyre marrëveshjeve, Real Madridi ka ruajtur edhe përqindje të të drejtave mbi shitjet e ardhshme të lojtarëve.

Po ndodh...