Vila 650 mijë € me pishinë e dizajn si jaht/ Si e financoi Arbër Abazi luksin e Ballukut. Lala jep detaje nga sekuestrimi i pasurisë: SPAK duhet të pyesë edhe Ramën

10 September 2026, 14:25 / POLITIKË ALFA PRESS
Vila 650 mijë € me pishinë e dizajn si jaht/ Si e financoi

Sekuestrimi i vilës së dytë luksoze të Belinda Ballukut në Palasë nga SPAK ka zbardhur një skemë të thellë korrupsioni, fshehje pasurie dhe konflikti interesi që lidh drejtpërdrejt ish-zv.kryeministren me biznesmenin Arbër Abazi.

E ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, gazetarja Klodiana Lala deklaroi se provat e grumbulluara i japin të gjitha mundësitë SPAK-ut për t’i kërkuar Kuvendit autorizimin për arrestimin e Ballukut, ndërsa theksoi se hetimet duhet të zgjerohen edhe ndaj kryeministrit Edi Rama.

Sipas gazetares, hetimi i rrethit të vilave në bregdet nisi pas zbërthimit të telefonave dhe komunikimeve elektronike. Vila e re e sekuestruar në Palasë, e cila pason atë të Dhërmiut e dyshuar si ryshfet, ka një vlerë blerjeje mbi 400 mijë euro, ndërsa investimi shtesë prej më shumë se 250 mijë eurosh për luksin e saj është kryer nga Arbër Abazi i kompanisë “Alko Impex”.

 

E-mail-et e arkitektit: Komunikimet mes arkitektit Alban Eftimi dhe Ballukut zbulojnë detaje të përshtatjes luksoze të vilës (ku gjysma e saj do të ngjante si jaht e frymëzuar nga hotele luksoze në Greqi), shoqëruar me një dokument 11-faqësh specifikimesh teknike.

Shënimet për pishinën: Dokumentet e mbikëqyrjes nga arkitekti i “Alko Impex” për blerjen e materialeve të pishinës mbajnë shënimin e drejtpërdrejtë “Arbër Abazi + Balluku”.

Abazi bashkëjeton me një të afërme të ministres, çka përbën një konflikt të hapur interesi për tenderat publikë që kompania e tij ka marrë nga dikasteri i Infrastrukturës. Përveç abuzimeve me tenderat ku është zyrtarisht e pandehur, Balluku tashmë përballet me akuza të reja për korrupsion dhe fshehje pasurie. Në këtë skemë përmendet edhe emri i Igli Tarës, i caktuar për mbulimin e një pjesë të investimit për shkak të raporteve miqësore.

Lala theksoi se kjo sipërmarrje korruptive miliona eurosh nuk mund të jetë realizuar pa miratimin e kryeministrit Edi Rama. Në dosje ekzistojnë mesazhe ku përmendet emri i kryeministrit që udhëzon Ballukun të takojë biznesmenë të caktuar për tenderat e mëdhenj publikë. Gazetarja nëvizoi se SPAK duhet minimalisht të marrë në pyetje Edi Ramën për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe të zgjidhë ngërçin duke kërkuar arrestimin e Ballukut në Kuvend.

“Në fund të korrikut u raportua për disa kontrolle të ushtruara me vendim të GJKKO-së ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku. Hetimi u shtri mbi disa vila në zonën e Palasës, ku SPAK kishte dyshime të forta, pas zbërthimit të telefonave dhe komunikimeve elektronike, se mund të fshiheshin pasuri të patundshme të saj. Ballukut i është sekuestruar më herët një tjetër vilë luksoze e fshehur në Dhërmi, e cila dyshohet se është përfituar si ryshfet. Vila e dytë e sekuestruar lidhet me dyshimet se, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës, ajo ka ushqyer me tendera publikë kompaninë “Alko Impex” të biznesmenit Arbër Abazi. Ky i fundit ka marrë përsipër investimin për vilën që vlerësohet mbi 400 mijë euro, ndërsa punimet e luksit që i kalojnë 250 mijë eurot janë kryer po nga Abazi.

Dosja e SPAK përmban disa e-mail-e të shkëmbyera mes arkitektit Alban Eftimi dhe Belinda Ballukut, ku tregohet se studioja e tij po punonte për projektimin luksoz të vilave. Në komunikime përmendet se gjysma e vilës do të ngjante si jaht, duke u frymëzuar nga një hotel luksoz në Greqi, shoqëruar me një dokument prej 11 faqesh me specifikimet teknike.

Në një tjetër moment komprometues që e lidh Ballukun me Arbër Abazin, gjatë marrjes së materialeve për pishinën, arkitekti i “Alko Impex” që mbikëqyrte punimet kishte shënuar në fletët e porosisë me shkrim dore: “Pishina Arbër Abazi + Balluku”.

Biznesmeni Arbër Abazi bashkëjeton me një të afërme të Ballukut, çka vërteton konfliktin e pastër të interesit në dhënien e tenderave publikë për familjarët e saj. Sa i përket Igli Tarës, ai ka mbuluar një pjesë të investimit për shkak të lidhjeve miqësore me palët.

Për shkak të kësaj lidhjeje nepotike, kompania e Abazit nuk mund të konkurronte për tendera publikë sa kohë Balluku mbante postin e ministres. Përveç akuzave për abuzim me tenderat ku është zyrtarisht e pandehur, ndaj Ballukut janë ngritur akuza të reja për korrupsion dhe fshehje pasurie, ndërsa për Abazin po zhvillohen hetime për korruptim të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash. Me këto prova të reja, SPAK i ka të gjitha mundësitë ligjore t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë të re për arrestimin e Ballukut.

Kjo ndërmarrje korruptive miliona eurosh shtrihet më lart se zv.kryeministrja. Balluku nuk mund të ketë vepruar e vetme, pasi asnjë zyrtar i Partisë Socialiste nuk merr dot vendime të tilla me peshë financiare pa miratimin e kryeministrit Edi Rama. Në fashikujt e hetimit ekzistojnë mesazhe ku përmendet emri i kryeministrit, i cili udhëzon Ballukun për takime me biznesmenë të caktuar. Mbi këtë bazë, SPAK duhet minimalisht të marrë në pyetje Edi Ramën lidhur me rolin e tij në tenderin e tunelit të Llogarasë”, u shpreh ajo.

 

Po ndodh...

ide