Boll me juristë e financierë, të rinjtë po rizgjedhin zanatet: Shtohen hidraulikët, elektricistët dhe mekanikët

11 September 2026, 20:30 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Boll me juristë e financierë, të rinjtë po rizgjedhin

Rruga tradicionale “universitet–diplomë–zyrë” po humbet shkëlqimin. Përballë kostove të studimeve, vështirësive për punësim dhe rrezikut nga Inteligjenca Artificiale, gjithnjë e më shumë të rinj po u rikthehen zanateve.

Elektricistët, hidraulikët, marangozët, teknikët e frigoriferëve dhe mekanikët, dikur të konsideruar si profesione të dorës së dytë, po shihen tashmë si zgjedhje që ofrojnë siguri, kërkesë të lartë dhe paga konkurruese.

Ndërsa Inteligjenca Artificiale mund të përgatisë raporte, të klasifikojë të dhëna apo të zëvendësojë një pjesë të punëve të zyrës, ajo ende nuk mund të riparojë një tub, të instalojë panele fotovoltaike apo të diagnostikojë fizikisht një automjet. Pikërisht kjo e bën punën teknike shumë më të vështirë për t’u automatizuar.

Në City of Westminster College në Londër, regjistrimet në programet e inxhinierisë dhe ndërtimit u rritën me 9.6% brenda tre viteve.

Një në gjashtë punëdhënës britanikë beson se përdorimi i Inteligjencës Artificiale do t’i mundësojë të reduktojë numrin e punonjësve, duke rrezikuar veçanërisht pozicionet fillestare në zyra.

Edhe pagat po rrëzojnë stereotipet. Hidraulikët në Britani fitojnë mesatarisht rreth 44,100 euro në vit, pothuajse sa paga mesatare prej 45,400 eurosh në të gjithë sektorët. Ndërkohë, Europa raporton mungesa të mëdha për elektricistë, saldues, mekanikë dhe punonjës të tjerë të kualifikuar.

Kjo prirje po shfaqet edhe në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga rrjeti europian Eurydice, regjistrimet në arsimin e mesëm profesional u rritën me rreth 10% gjatë vitit 2024 krahasuar me vitet e mëparshme.

Diploma universitare nuk po zhduket, por nuk është më një pasaportë automatike drejt punësimit.

Pas dekadash kur të rinjtë orientoheshin masivisht drejt juridikut, financës dhe punëve të zyrës, tregu po rivlerëson ata që dinë të punojnë me duar.

Pyetja tashmë nuk është vetëm se cila diplomë ka më shumë prestigj, por cili profesion do të vazhdojë të ketë nevojë për një njeri që ta kryejë./skyweb.al

 

Po ndodh...

ide