U zgjodh Kryepeshkop i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare! Patriarku i Moskës letër urimi: Jeni thirrur për të mbrojtur me zell pastërtinë e besimit!

17 Mars 2025, 12:31 / BOTA ALFA PRESS

U zgjodh Kryepeshkop i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare!

Patriarku i Moskës, Shenjtëria e tij Krilli i dërgoi një letër urimi Kryepeshkopit të ri Joan Pelushit.

Krilli uron që “hiri i Shpirtit të Shenjtë të forcojë gjithmonë forcën tuaj shpirtërore dhe fizike, në mënyrë që me mundin tuaj të përhapet dhe të lavdërohet fjala e Zotit”.

Patriarku i Moskës thekson se në kohët e sotme të vështira, roli i Kryepeshkopit kërkon mençuri dhe guxim të madh.

“Ju përgëzoj sinqerisht për zgjedhjen tuaj si Primat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë! Providenca e Zotit, me vullnetin e Sinodit të Shenjtë (të Kishës së Shqipërisë), ju vendosi në krye të kishës martire, duke ju bërë pasardhës të të ndjerit të bekuar Kryepeshkopit Anastas. Nga ky pozicion ju jeni thirrur të kujdeseni për unitetin e kishës, duke mbrojtur me zell pastërtinë e besimit dhe themelet e Kishës, gjë që në kohët e sotme të vështira kërkon mençuri të veçantë dhe guxim të madh. Unë lutem me zjarr për ju dhe me gjithë zemër uroj që hiri i Shpirtit të Shenjtë të forcojë gjithmonë forcën tuaj shpirtërore dhe fizike, në mënyrë që me mundin tuaj të përhapet dhe të lavdërohet fjala e Zotit. Zoti ynë Jisu Krisht e shtoftë grigjën e devotshme që ju është besuar, duke i dhuruar shpëtim të përjetshëm bijve besnikë të Zotit”.

Hirësi Joan Pelushi u zgjodh dje Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Zgjedhja e Kryepeshkopit Joan u bë nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse, pas Liturgjisë Hyjnore të së dielës, që për besimtarët ortodoksë përkon me të dielën e dytë të Kreshmës.

Hirësi Joani u prit me një ceremoni të veçantë dhe hyri në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri, ranë njëkohësisht në nder të këtij momenti historik.

Pas shpalljes së emrit të tij, Kryepeshkopi i ri mbajti një fjalë të shkurtër, që u prit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm me duartrokitje dhe thirrjet “i denjë”.

“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e Kishës. I vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim,” u shpreh Imzot Joani.

 

Po ndodh...