
Rutte: NATO nuk do të lejojë kërcënimin e paqes në Bosnjë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u zotua për mbështetjen "e palëkundur" të tërësisë tokësore të Bosnjës, ndërsa bëri thirrje kundër çdo veprimi që nxit tensione në vendin ballkanik.
Ai i bëri këto komente në Sarajevë pas takimit me tre anëtarët e presidencës shumetnike, një nga institucionet e krijuara me marrëveshjen e paqes të arritur ne Dejtion të Shteteve të Bashkuara, që i dha fund luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë, e cila la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë.
Bosnja dhe Hercegovina mund të mbështetet në përkrahjen e NATO-s, e cila nuk do të lejojë që paqja e fituar me vështirësi të rrezikohet, tha sekretari Rutte.
“Çdo veprim që dëmton Dejtonin, rendin kushtetues apo institucionet kombëtare është i papranueshëm. Retorika dhe veprimet nxitëse janë të rrezikshme.
Ato paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha zoti Rutte.
Sekretari i NATO-s qëndroi në Bosnjë në një periudhë tensionesh pasi ligjvënësit e entitetit serb miratuan një sërë ligjesh që u ndalojnë autoriteteve gjyqësore qendrore dhe policisë, të veprojnë në territorin e Republikës Serbe.
Ligjet kanë nxitur tensione në vendin ballkanik dhe zyrtarët boshnjakë u ankuan në Gjykatën Kushtetuese, e cila i pezulloi përkohësisht ligjet, duke theksuar se zbatimi i tyre do të kishte “pasoja serioze dhe të pashmangshme”, duke rrezikuar rendin kushtetues, ligjor si dhe sovranitetin e Bosnjës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan veprimet e entitetit serb, duke i cilësuar ato si kërcënim për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Bosnjës e Hercegovinës.
Miratimi i ligjeve ishte në kundërpërgjigje ndaj një gjykate në Sarajevë e cila muajin e kaluar e dënoi presidentin pro-rus të entitetit Milorad Dodik, për mosbindje ndaj të dërguarit të lartë ndërkombëtar që mbikëqyr paqen në Bosnjë.
Milorad Dodiku i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për shkak të angazhimit për shpërbërjen e Bosnjës, u dënua me një vit heqje lirie dhe gjashtë vjet ndalim të përfshirjes në postet publike.
Situata ngjalli frikën për incidente të ngjashme me ato të fillimit të luftës në vitin 1992.
"Sigurisht, dëgjoj shqetësime për situatën e sigurisë. Por le të jemi të qartë, ky nuk është viti 1992 dhe ne nuk do të lejojmë të shfaqet një vakum sigurie.
Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe i përkushtuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fortë, duke përfshirë edhe përmes EUFOR-it dhe NATO-s”, tha sekretari Rutte.
Forcat paqeruajtëse evropiane në Bosnje të njohura si EUFOR, thanë se kanë shtuar praninë e trupave në përgjigje të tensioneve.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, të martën pritet të qëndrojë për një vizitë në Kosovë, ku shërbejnë mijëra trupa të aleancës ushtarake perëndimore në kuadër të misionit paqeruajtës./VOA
ideas

Magnificent Albania or Bazaar Albania!


Albanians must overcome the old Rama-Berisha polarization on May 11
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128