Zjarri në Maqedoni, Mickoski: Kompania, licencë të falsifikuar! Faji i qeverisë së shkuar

2025-03-17 12:22:35 / BOTA ALFA PRESS
Zjarri në Maqedoni, Mickoski: Kompania, licencë të falsifikuar!

Kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski pohoi se ekzistojnë dyshime që kompania në qendër të tragjedisë që kushtoi dhjetëra jetë njerëzish në Maqedoninë e Veriut, ka pasur dy licenca, njëra prej të cilave ka qenë e falsifikuar dhe në bazë të saj ka vazhduar të veprojë si diskotekë.

Mickoski premtoi se përgjegjësit për ngjarjen e rëndë, do të identifikohen publikisht.

“Ka dyshime se kompania ka vepruar me licencë të falsifikuar nga drejtuesit e shkuar të Ministrisë së Ekonomisë. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi, me emër e mbiemër”, tha Mickoski.

I pyetur nga gazetarët për më shumë detaje, kreu i ekzekutiv maqedonas e drejtoi gishtin tek ish sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë, Razmena Çekiç, duke theksuar se ky rast nuk ka qenë i vetmi.

Dita e sotme shënon nisjen e një jave zije në vendin fqinj, një ditë pas zjarrit vdekjeprurës në klubin e natës në Kocan, që i mori jetën 59 personave, ndërsa u lënduan 155 të tjerë.

Autoritetet kanë premtuar hetim të shpejtë dhe të plotë, e kanë ndaluar dhjetëra të dyshuar në lidhje me zjarrin, përfshirë zyrtarë qeveritarë.

Flakët shpërthyen orët e para të së dielës pas shkëndijave nga mjetet piroteknike, të përdorura për efekt ndriçimi, të cilat i vunë zjarri çatisë. Rreth 500 vetë ndodheshin në klub në ato momente.

Deri më tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi.  Më shumë se 20 prej të lënduarve dhe tre të vdekur janë nën moshën 18-vjeçare, sipas ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski.

Disa pacientë u dërguan për mjekim në Bullgari, Serbi dhe Greqi. Pjesa dërrmuese e të plagosurve kanë plagë djegieje.

Përpjeket për shpëtim janë mbështetur edhe nga organizata vullnetare. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha, se “Të gjitha kapacitetet janë vënë në shfrytëzim dhe po punohet maksimalisht për të shpëtuar prej kësaj tragjedie sa më shumë të rinj të jetë e mundur”.