Nesër zgjedhjet në Kosovë, gjithçka që duhet të dini nga procesi

2025-02-08 13:48:58 / KOSOVA ALFA PRESS

Nesër zgjedhjet në Kosovë, gjithçka që duhet të

Në Kosovë mbahen të dielën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të 9-at me radhë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe të parat zgjedhje të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Për 4 vitet e shkuara qeverinë e udhëhoqi partia Vetëvendosje me kryeministër Albin Kurtin, i cili jo rrallë pati përplasje me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Po ashtu mospajtime të thella pati edhe me komunitetin ndërkombëtar për shkak të veprimeve të quajtura “të pakoordinuara”, në veri të Kosovës, shkruan Deutsche Welle.

Zgjedhjet e përgjithshme mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndonëse përfaqësuesit e tyre bojkotuan zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Por kësaj radhe disa subjekte të vogla politike, edhe Lista Srpska që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, marrin pjesë në zgjedhje.

Për një muaj rresht subjektet politike që synojnë të udhëheqin qeverinë për mandatin e ardhshëm katër vjeҫar shpalosën programet e tyre zgjedhore.

Ndër subjektet më të mëdha politike që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosja VV e udhëhequr nga Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, Partia Demokratike e Kosovës PDK me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Gjatë një muaji, fushata zgjedhore në Kosovë u karakterizua nga një gjuhë jo pak nxitëse dhe të urrejtjes, por, nuk u shënua ndonjë incident, konstatoi rrjeti i organizatave joqeveritare që monitoron procesin.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues ndërkombëtar nga 18 vende të Bashkimit Evropian, nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës.

Më shumë se 200 ushtarë italianë të KFOR-it, ju shtuan trupave tjerë të KFOR-it, një njësi e specializuar e policisë së misionit EULEX dhe mijëra policë të Kosovës do të jenë të pranishëm pranë qendrave të votimit për të siguruar një ambient të qetë dhe proces të rregullt të zgjedhjeve të përgjithshme.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore në Kosovë fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit, në orën 07:00, dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit. Pra, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.

 

Happening now...