Ibrahimoviç zbulon prapaskenat e Milanit: Futbolli italian po humbet terren, duhet të ndryshojë

30 July 2026, 23:51 / SPORT ALFA PRESS

Ibrahimoviç zbulon prapaskenat e Milanit: Futbolli italian po humbet

Legjenda e futbollit, Zllatan Ibrahimoviç, ka folur për të ardhmen e Milanit, rolin e tij të ri në strukturat e klubit kuqezi dhe problemet që sipas tij po pengojnë zhvillimin e futbollit italian.

Ish-sulmuesi suedez, tashmë këshilltar i lartë i fondit amerikan RedBird që zotëron Milanin, mori pjesë në WSJ Sports Event më 16 korrik 2026, ku në skenë ishte së bashku me pronarin e klubit, Geri Kardinalen.

Biseda u fokusua te ndryshimi i mentalitetit sportiv, kalimi nga fusha e lojës në botën e biznesit dhe sfidat e Milanit në një futboll gjithnjë e më konkurrues.

“Dua të sjell të njëjtin mentalitet si në fushë”
Ibrahimoviç tregoi se përvoja e re në biznes është një kapitull tjetër në karrierën e tij, ku synon të mësojë dhe të ndërtojë një profil të ri përtej futbollistit.

“Është një pjesë e re e karrierës sime. Kam mundësinë të punoj për RedBird dhe jam i rrethuar nga njerëz të shkëlqyer. Dua të mësoj, dua të rritem në këtë botë”, u shpreh Ibrahimoviç.

Ai krahasoi punën në zyrë me atë në dhomat e zhveshjes, duke thënë se edhe në biznes liderët duhet të vendosin standarde dhe të krijojnë një kulturë fituese.

“Ka një lider që të tjerët e ndjekin, që vendos standardet dhe përcakton mentalitetin. Kjo është ajo që dua të sjell: të jem vetvetja dhe të bëj që njerëzit të më ndjekin”, tha suedezi.

Këshilla për Kardinalen: “Duhet të krijojë identitetin e tij te Milani”
Duke folur për pronarin e Milanit, Ibrahimoviç u ndal te rruga e vështirë e drejtimit të një klubi me histori të madhe.

Sipas tij, Kardinales i duhet kohë për të kuptuar specifikat e futbollit italian dhe për të ndërtuar një projekt të qëndrueshëm.

“Duhet të krijojë identitetin e Milanit sipas mënyrës së tij, jo duke kopjuar dikë tjetër. Dështimi është pjesë e suksesit. Nëse gjithçka do të ishte perfekte që në fillim, nuk do të mësonte asgjë”, u shpreh Ibrahimoviç.

Ai kujtoi peshën globale të klubit kuqezi, duke përmendur se Milani ka rreth 650 milionë tifozë në botë.

“Kam luajtur në tre nga pesë klubet më të mëdha në botë dhe njëri prej tyre është Milani. Nuk është unë që zgjedh skuadrën, janë qindra miliona tifozë që e bëjnë këtë”, tha ai.

“Futbolli italian po humbet terren”
Ibrahimoviç nuk i kurseu kritikat për gjendjen aktuale të futbollit italian, duke kërkuar ndryshime në infrastrukturë dhe mënyrën e organizimit.

Sipas tij, Serie A nuk po arrin të konkurrojë me kampionatet më të forta europiane.

“Produkti nuk është mjaftueshëm i mirë. Sot futbolli italian nuk i afrohet atij anglez apo spanjoll. Infrastruktura duhet të ndryshojë”, tha ish-futbollisti.

Ai u ndal te diferenca mes stadiumeve italiane dhe atyre të Premier Ligës, duke paralajmëruar se pa ndryshime futbolli italian do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të mbajë ritmin.

“Nëse nuk ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe të punuarit, është një anije që po fundoset. E them sepse më intereson futbolli italian”, tha Ibrahimoviç.

Suedezi kujtoi se ka qenë pjesë e një periudhe kur Serie A konsiderohej kampionati më i fortë në botë, por sipas tij sot situata ka ndryshuar dhe klubet italiane përballen me vështirësi edhe përballë skuadrave më të dobëta angleze në merkato.

Po ndodh...

ide