“Kemi vendosur bombë, do shpërthejë për 2 orë”/ SPAK dhe GJKKO mes institucioneve të kërcënuara, efektivët e Antiterrorit zbarkojnë me qen dhe pajisje të specializuara

27 August 2026, 10:27 / AKTUALITET ALFA PRESS

Efektivë të Antiterrorit kanë zbarkuar në ambientet e SPAK dhe GJKKO pas një alarmi për bombë.

Sipas informacioneve, një email me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste është dërguar në orare të ndryshme në disa institucione, ku pretendohet se janë vendosur lëndë plasëse dhe do të shpërthejë për 2 orë. Mes institucioneve të përmendura në mesazh janë edhe SPAK dhe GJKKO.

Specialistët e Antiterrorit kanë mbërritur me pajisje të posaçme, si dhe qen të specializuar për zbulimin e eksplozivëve.

Aktualisht po kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme në ambientet e institucioneve, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim real apo një alarm të rremë.

Autoritetet vijojnë kontrollet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e dërgimit të emailit kërcënues.

Njoftimi:

Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

 

Po ndodh...