Zbardhen detaje të reja nga aksioni/ Tentuan të arratiseshin nga policia, Shpataraku u përpoq të parakalonte makinën e Policisë

27 August 2026, 10:06 / AKTUALITET ALFA PRESS

Detaje të reja janë mësuar nga operacion i zhvilluar një ditë më parë ku u bë i mundur arrestimi i të shumëkërkuarit, Ergys Agasi.  Burime për mediat bëjnë me dije së fundmi se sapo Agasi dhe ish-zyrtari i lartë i Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku kanë pikasur automjetet e Policisë, dyshohet se kanë tentuar që t’i shmangim.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se Shpatarku i cili ishte dhe shoferi, ka tentuar që të parakalojë me automjetin “Audi”, me të cilin dy të kërkuarit e SPAK po qarkullonin. Mirëpo, kjo tentativë e ish-zyrtarit të Policisë për t’iu shpëtuar ish-kolegëve të vet nuk ka rezultuar me sukses pasi dorcat e Policisë dh ato Operacionale ishin vendosur kordon në rrugë, duke bllokuar kalimin dhe çdo mundësi për t’u larguar.

Në këto kushte, efektivët kanë ndërhyrë menjëherë duke rrethuar automjetin. Agasi dhe Shpataraku janë nxjerrë nga makina dhe janë vënë në pranga.

Operacioni ishte zhvilluar nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me strukturat e SPAK-ut, ndërsa automjeti me të cilin udhëtonte Agasi ishte pikasur që në qytetin e Elbasanit. Mjeti është mbajtur nën vëzhgim gjatë gjithë lëvizjes dhe është ndjekur për rreth 40 kilometra në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës dhe më pas Durrësit.

Gjatë kontrollit të automjetit pas arrestimit, burime bëjnë me dije se janë gjetur edhe rreth 4 mijë euro cash, para të cilat janë sekuestruar nga autoritetet.

Sakaq paraditen e sotme, kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Maksim Haxhia, ka shkuar në ambientet e Bllokut të Sigurisë ku ka takuar biznesmenin Agasi, vetëm pak orë pasi ky i fundit u transferua aty pas arrestimit në Durrës.

Agasi u arrestua pasditen e së mërkurës, 26 gusht, në zonën e Plepave, pas rreth tetë muajsh në arrati. Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK që prej dhjetorit të vitit 2025, në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderëve të AKSHI-t.

Po ndodh...