Agasi u arrestua dje në Durrës, SPAK sekuestron makinën luksoze të parkuar në një vilë

Pas arrestimit një ditë më parë të biznesmenit kontrovers Ergys Agasi, i cili prej dhjetorit të vitit të kaluar ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderëve të AKSHI-t, hetuesit kanë vijuar kontrollet dhe veprimet mbi pasuritë e tij.
Burime për mediat bëjnë me dije së fundmi se oficerët e BKH-së i kanë sekuestruar mëngjesin e sotëm edhe një automjet luksoz tip “Land Rover Defender”, një prej modeleve luksoze të prodhuesit britanik, me një vlerë që llogaritet rreth 100 mijë euro. Automjeti është gjetur i parkuar në garazhin e një prej vilave të kompleksit “Equos Resort”.
Sekuestrimi i automjetit vjen një ditë pas arrestimit të Agasit, i cili i dha fund një arratisjeje që zgjati rreth tetë muaj. Biznesmeni u lokalizua dhe u arrestua pasditen e 26 gushtit në zonën e Plepave në Durrës, në një operacion të zhvilluar nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me strukturat e SPAK.
Sipas informacioneve që dhe u bënë me dije më herët, Agasi u pikas fillimisht në Elbasan, ndërsa udhëtonte me një automjet luksoz. Mjeti u mbajt nën vëzhgim dhe u ndoq për rreth 40 kilometra në aksin Elbasan-Peqin-Rrogozhinë-Durrës, deri në momentin kur ndërhyrja e forcave të policisë u krye në zonën e Plepave.
Në momentin e arrestimit, Agasi ndodhej në një “Audi”, ndërsa në automjet si shofer ishte edhe ish-zyrtari i Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku, i cili po ashtu kërkihej nga drejtësia për "kanosjen" e një kamarieri në zonën e Dhërmiut.
Pamjet e arrestimit të Agasit kanë tërhequr vëmendje edhe për detajet e luksit që e shoqëronin atë. Në momentin kur efektivët e rrethuan automjetin dhe i vunë prangat, biznesmeni shfaqej i veshur sportiv, ndërsa në dorë mbante një orë që ngjason me një “Richard Mille”, një prej markave më ekskluzive dhe të kushtueshme të orave në botë.
Në varësi të modelit, orët e kësaj marke mund të kushtojnë qindra mijëra euro, dhe ora që Agasi mbante në duar kapte shifrën e rreth 550 mijë dollarë.
Agasi dyshohet nga SPAK se ka qenë pjesë e një skeme të lidhur me procedurat e prokurimit publik të AKSHI-t. Sipas hetimeve, kompanitë që kanë përfituar tendera në këtë institucion kanë kryer pagesa në drejtim të kompanisë “EA Solution”, në pronësi të Agasit.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128