Kompania e Ramës që prodhon makina "Made in Albania" me buxhet qesharak, totali i rrogave vetëm 12 mijë euro në muaj

1 August 2026, 22:52 / POLITIKË NGA KLODIAN TOMORRI

Kompania e kryeministrit që prodhon makina me buxhet total rrogash 12

Klodian Tomorri

Kryeministri Edi Rama promovoi dje me bujë të madhe 40 makinat e para ushtarake, sipas tij të prodhuara në Shqipëri, nga partneriteti mes shoqërisë publike Kayo dhe asaj private Timak.

Por kur qytetarët vërshuan me komente në rrjetet sociale se si një kompani shqiptare prodhon automjete Toyota, Land Cruiser apo Man, kryeministri u detyrua të bënte një sqarim me nota nervozizmi.

"Makinat janë të standardeve të NATO-s dhe po, janë prodhuar në Shqipëri! Po, me pjesët e këmbimit të marra nga kolosë të industrisë automotive, por kush thotë se ky nuk quhet prodhim nuk di çfarë flet dhe ndërkohë kush mendon se kjo është lojë, le ta pyesë veten si ka mundësi që 30 vende aleate e mike kanë lidhur kontrata blerjeje nga kompania shqiptare?! Urrejtja është e zeza e t’Zot thoshte gjyshja ime e mençur," shkroi Edi Rama.

Zinxhirët globalë të prodhimit janë një realitet i pamohueshëm i ekonomisë moderne, prej shumë vitesh tashmë. Por a ka hyrë me të vërtetë Shqipëria në industrinë e prodhimit të automjeteve, ashtu siç pretendon kryeministri?

Për t'ju përgjigjur kësaj pyetje ka një mënyrë shumë të thjeshtë. Të shohësh se cila është vlera e shtuar që gjenerohet në vend. Dhe vlera e shtuar vjen nga tre faktorët e prodhimit. Puna, kapitali, ose nga efiçenca me të cilën kombinohen këto të dyja, që ndryshe njihet si produktiviteti.

Timak Defence, kompania që furnizoi 40 automjetet e ushtrisë, u krijua në 4 gusht të vitit të kaluar. Në fund të dhjetorit, kompania e cila zotërohet 80 për qind nga Timak dhe 20 për qind nga Kayo kishte gjithsej 14 punonjës. Tabela në foton më poshtë paraqet zërat kryesorë të shpenzimeve në bilancin e Timak Defence për vitin e kaluar.

Kompania e kryeministrit që prodhon makina me buxhet total rrogash 12

Shpenzimet per paga te Timak Defence

Sipas tabelës, për 5 muaj kompania ka patur një fond bruto pagash prej 5.8 milionë lekësh ose rreth 61 mijë euro. Pra mesatarisht, fondi i pagave të Timak është 12 mijë euro në muaj dhe 14 punonjësit e saj marrin një pagë bruto prej rreth 860 eurosh, neto shumë më pak se kaq.

Pra e gjithë vlera e shtuar nga puna në Shqipëri nga prodhimi i makinave që thotë kryeministri është 12 mijë euro në muaj ose rreth 150 mijë euro në vit. Ky fond pagash është klasik për një kioskë të vogël, bar kafe ose për një mikrondërmarrje fasoni.

Për krahasim, fabrika e DMM Dräxlmaier Manufacturing në Kavadarci të Maqedonisë së Veriut, e cila prodhon pjesë këmbimi për automjete, paguan 5.8 milionë euro rroga në muaj ose rreth 70 milionë euro rroga në vit

Faktori i dytë i prodhimit që gjeneron vlerë të shtuar është kapitali. Në rastin e industrive prodhuese, kapitali është kryesisht fizik, pra në formën e makinerive, pajisjeve, linjave të prodhimit e kështu me radhë.

Në bilanc, ky kapital klasifikohet në zërin e aktiveve afatgjata të qëndrueshme. Sipas bilancit të Timak Defence, në fund të vitit të kaluar aktivet afatgjata të kompanisë rezultonin gjithsej 146 mijë lekë ose 1 mijë e 500 euro. Këto duhet të jene saldatriçet.

Kompania e kryeministrit që prodhon makina me buxhet total rrogash 12

Aktivet e Timak Defence

Po, kompania rezulton të ketë 10.5 milionë euro aktive afatshkurtra. Këto janë parapagime që Timak Defence ka marrë nga buxheti i shtetit përmes kontratave sekrete, pra nga paratë e qytetarëve për të furnizuar institucionet publike me dronë dhe automjete. (Lexo këtu)

Me pak fjalë, Timak Defence gjeneron një vlerë të shtuar të papërfillshme nga puna dhe ka zero kapital fizik. Praktikisht gjeneron zero vlerë të shtuar në prodhim. Por kryeministri thotë se ajo prodhon automjete, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për OKB-në madje.

Në fakt, ajo që bën Timak Defence është një gjë tjetër dhe jo prodhimi i automjeteve. Timak Defence është instrumenti përmes të cilit qeveria asgjësoi konkurrencën në tenderat publikë të furnizimit të institucioneve shtetërore me automjete.

Tashmë ushtria nuk i blen me automjetet me tender të hapur, ku kompanitë garojnë duke ulur çmimet, por është e detyruar t'i blejë vetëm nga Timak Defence, e cila importon automjetet nga jashtë me çmim x dhe ja shet ushtrisë nga pozita e monopolit me çmim x plus shumë marzh. Ky nuk është prodhim.

Për këtë, gjuha shqipe ka një tjetër fjalë. Dhe ajo fjalë nuk është Besa./Kapital

Po ndodh...

ide