Konstatoi shkelje disiplinore, ILD kërkon ulje me 40% të pagës për gjyqtaren Suela Dashi

29 July 2026, 12:33 / AKTUALITET ALFA PRESS

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur hetimin disiplinor ndaj magjistrates S.D., gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, pas ankesave të paraqitura nga zëvendëskryetari i kësaj gjykate dhe dy ankues të tjerë. Hetimi është kryer për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1, shkronjat “a”, “f” dhe pika 2, shkronja “a” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

Nga tërësia e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor provohet se nga ana e magjistrates janë kryer shkeljet disiplinore që ligji i parashikon si:

Mungesa e pajustifikuar në detyrë, për më shumë se tre ditë pune në vit;

Mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi apo gjykimi i çështjes, kur kjo është e detyrueshme sipas ligjit, nëse magjistrati ka dijeni ose duhet të kishte dijeni të rrethanave të tilla;

Mosrespektimi i rëndë ose i përsëritur i legjislacionit procedural e material ose zbatimi i gabuar i legjislacionit procedural dhe material,  kur konstatohet  nga një gjykatë më e lartë. 

Raporti hetimor i ILD-së vlerëson se shkeljet janë kryer me dashje, duke pasur parasysh edhe përvojën profesionale të magjistrates. Sipas raportit, veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares S.D. kanë cenuar parimet e paanshmërisë dhe ligjshmërisë, të drejtat e palëve në procesin gjyqësor, si dhe prestigjin e magjistratit dhe besimin e publikut në sistemin gjyqësor. Gjithashtu, raporti vlerëson se sjellja e konstatuar nga gjyqtarja paraqet rrezik për përsëritjen e praktikave të ngjashme nga magjistratë të tjerë dhe krijon precedent negativ për funksionimin e sistemit gjyqësor.

Inspektorët e ILD-së kanë konstatuar se nuk ekzistojnë shkaqe objektive ose rrethana jashtë kontrollit të magjistrates, që të justifikojnë shkeljet e konstatuara, ndërsa si rrethana lehtësuese konsiderohet fakti që magjistratja nuk ka pasur më parë masa disiplinore në fuqi dhe se ka bashkëpunuar gjatë zhvillimit të hetimit disiplinor.

ILD ka arritur në konkluzionin se veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares S.D. përbëjnë shkelje të rënda disiplinore, sipas nenit 102, pika 1, shkronjat “a” dhe “f”, si dhe pika 2, shkronja “a” të ligjit nr. 96/2016. Për këtë arsye, ILD i propozoi Këshillit të Lartë Gjyqësor caktimin e masës disiplinore “Ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit” ndaj gjyqtares S.D., e parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “c”, nëndarja “i”, në lidhje me nenin 108, shkronja “b” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Po ndodh...

ide