Ligji i ri i BSH eliminon Inspektorin e Përgjithshëm, Auditin e propozon vetë Guvernatori

Ligji i ri për Bankën e Shqipërisë pritet të eliminojë funksionin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, të zgjedhur nga Parlamenti.
Sipas projektligjit, kontrolli i brendshëm në Bankën e Shqipërisë do të kryhet nga Departamenti i Auditit të Brendshëm.
Drejtori i Auditit të Brendshëm të Bankës së Shqipërisë do të emërohet nga Këshilli Mbikëqyrës, me propozim të Guvernatorit. Ai do të ketë një mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi. Drejtori i Auditit të Brendshëm do të gëzojë të njëjtin status, të njëjtin shpërblim dhe të njëjtat përfitime nga marrëdhënia e punës si Zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë.
Projektligji përcakton se drejtori i Auditit të Brendshëm duhet t’i ushtrojë detyrat e tij në mënyrë të pavarur dhe objektive. Gjatë ushtrimit të këtyre detyrave, ai nuk duhet të kërkojë dhe as të marrë udhëzime nga Guvernatori ose Zëvendësguvernatorët.
Aktualisht, titullari i Kontrollit të Brendshëm në Bankën e Shqipërisë është Inspektori i Përgjithshëm, që zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë me një afat pesëvjeçar dhe mund të shkarkohet vetëm nga Kuvendi.
Projektligji megjithatë përcakton se Inspektori aktual i zgjedhur nga Kuvendi mund të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit të tij.
Projektligji, gjithashtu, parashikon edhe ngritjen e një Komiteti të Auditimit, si organ këshillimor për mbikëqyrjen e integritetit të raportimit financiar, efektivitetit të sistemit të kontrollit të brendshëm, administrimit të rrezikut dhe procesit të auditimit të jashtëm të Bankës së Shqipërisë.
Komiteti i Auditimit krijohet nga Këshilli Mbikëqyrës dhe përbëhet nga tre anëtarë të Këshillit, të cilët preferohen të kenë përvojë në fushën e auditimit ose të menaxhimit të rrezikut. Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të jenë anëtarë të Komitetit të Auditimit.
Projektligji parashikon që Komiteti i Auditimit mund të këshillohet nga një ekspert i jashtëm në fushën e auditimit ose administrimit të rrezikut.
Një risi e rëndësishme e projektligjit është edhe vendosja kufizimeve lidhur me të drejtat e kontrollit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit do të autorizohet të auditojë vetëm operacionet dhe veprimtaritë administrative të Bankës së Shqipërisë, përfshirë ato që lidhen me aktivet, pajisjet, shërbimet mbështetëse, burimet njerëzore dhe administrimin.
Ky audit duhet të kufizohet vetëm në shqyrtimin e ligjshmërisë dhe efikasitetit operacional të veprimtarive administrative të Bankës së Shqipërisë. Ai nuk do të shtrihet në vlerësimin e arritjes së objektivave ligjorë të Bankës së Shqipërisë, në formulimin ose zbatimin e politikës monetare, në ushtrimin e funksioneve të saj themelore si bankë qendrore dhe as në auditimin e pasqyrave të saj financiare, të cilat i nënshtrohen auditimit të jashtëm të pavarur.
Në projektligj propozohet që Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk duhet t’i japë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, asnjë udhëzim Bankës së Shqipërisë, organeve të saj drejtuese ose anëtarëve të tyre.
E drejta për informacion e Kontrollit të Lartë të Shtetit do të kufizohet vetëm në ato dokumente dhe informacione që janë të nevojshme për qëllimet e auditimit të veprimtarisë administrative sipas këtij neni. Dokumentet dhe informacioni që lidhen me politikën monetare, stabilitetin financiar, operacionet e tregut ose të dhënat individuale bankare përjashtohen nga e drejta për tu njohur.
Anëtarët dhe personeli i Kontrollit të Lartë të Shtetit u nënshtrohen detyrimeve të rrepta për ruajtjen e sekretit profesional, të barasvlershme me ato që zbatohen për personelin e Bankës së Shqipërisë, si gjatë ushtrimit të detyrës, ashtu edhe pas përfundimit të saj.
Banka e Shqipërisë ka të drejtë të paraqesë komente dhe kundërshtime ndaj projekt-raportit të auditimit dhe nuk do të jetë e detyruar të paraqesë plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve të nxjerra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit./monitor
Po ndodh...
ide
Protesta si furra ku po farkëtohet sistemi i ri politik
Një Parlament kllounësh!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128