Letër nga Uashingtoni/ Blerja e favoreve të Trump me UFC në Serbi dhe armë në Shqipëri
Përshëndetje nga Uashingtoni, ku këtë muaj gara e IndyCar erdhi në qytet – një tjetër spektakël madhështor i organizuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, si pjesë e festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Itinerari i versionit amerikan të Formula 1 kaloi pranë ndërtesave historike, monumenteve, muzeve dhe agjencive federale. Qendra e qytetit u rrethua me barriera betoni, gardhe dhe automjete ushtarake, ndërsa prania e trupave të Gardës Kombëtare dhe e policisë ishte e madhe.
Ndërprerjet e vazhdueshme të jetës së qytetit janë bërë tashmë një lloj tipari dallues i Trump 2.0. Dhe për disa banorë të Uashingtonit, ky spektakël solli në mendje një shprehje të vjetër: Lëri ata të hanë tortë. Sepse ndërsa qeveria festonte me një garë makinash që kushtoi miliona dollarë, shumë amerikanë po përballen me rritjen e kostos së jetesës, në kushtet e luftës në Iran.
Ndërsa çmimet rriten, niveli i miratimit të presidentit për ekonominë po bie. Ai është tani në pikën më të ulët të mandatit të tij të dytë dhe numri i votuesve republikanë që nuk e miratojnë performancën e tij po rritet, ndërsa zgjedhjet e mesit tw mandatit afrohen.
Nga ana tjetër, ende ka vende ku Trumpi është i dashur dhe i admiruar dhe ku qeveritë janë të gatshme ta shprehin admirimin e tyre edhe me para. Serbia, për shembull.
Në Beograd, gjatë një ndeshjeje të Kampionatit Final të Ndeshjeve, UFC më 1 gusht, një ligë për artet e përziera marciale, një banderolë tërhoqi vëmendje të veçantë. Në të shkruhej: “President Trump, Serbia ju mirëpret!”
Kushdo që e kishte shkruar, mesazhi mbërriti te audienca e synuar: Trumpi e ripostoi atë në Truth Social.
Kjo shfaqje e veçantë afeksioni ndaj Trumpit u kushtoi taksapaguesve serbë më shumë se 2.5 milionë dollarë, shuma që UFC-ja mori për organizimin e eventit, sipas raportimeve të mediave serbe.
Në fakt, UFC-ja mori brenda një nate më shumë para se sa marrin disa federata sportive serbe për një vit të tërë.
Duke pasur parasysh se Trumpi është një fans i madh i arteve marciale të përziera dhe mik i ngushtë i presidentit të UFC-së, Dana White, si dhe se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka bërë përpjekje aktive për t’i bërë përshtypje homologut të tij amerikan, vendimi për të shpenzuar 2.5 milionë dollarë për këtë event mund të mos jetë i vështirë për t’u kuptuar.
Dihet mirë se Trumpi i vlerëson shfaqjet transaksionale të vëmendjes. Dhe shumëkush ka mësuar të flasë këtë gjuhë, përfshirë Katarin, i cili i dhuroi një avion të ri dhe luksoz.
Serbia, Somaliland dhe kompania Maneks nga Novi Sadi
Uashingtoni është bërë gjithashtu një terren gjithnjë e më i rëndësishëm për lobimin serb.
Këtë muaj, publiku mësoi se Serbia ka punësuar një kompani të re lobimi në qytet: CRB Global LLC, e drejtuar nga një ish-ndihmës i Trumpit, një konsulent i njohur republikan dhe një sipërmarrës konservator i teknologjisë.
Sipas regjistrit amerikan të agjentëve të huaj, klientët e CRB Global përfshijnë jo vetëm qeverinë serbe, por edhe Ministrinë e Integrimit Evropian të Republikës Srpska të Bosnjë-Hercegovinës, Somalilandin dhe një kompani në qytetin e dytë të Serbisë, Novi Sad, të quajtur Maneks.
Maneks, një kompani tregtimi me shumicë e metaleve me ngjyra, është në pronësi të Dragoljub Zbiljiç, i cili njihet si i afërt me Partinë Përparimtare Serbe në pushtet, SNS.
Çuditërisht, kontratat mes CRB Global dhe Maneks, si dhe mes CRB Global dhe qeverisë serbe, janë në thelb kopje të njëra-tjetrës.
CRB Global rendit të njëjtat objektiva strategjikë për të dyja: eksplorimin e mundësive për bashkëpunim ushtarak dhe teknologjik dhe ndihmën për krijimin e një “marrëdhënieje të jashtëzakonshme” mes SHBA-së dhe Serbisë.
Çmimi, megjithatë, është shumë i ndryshëm. Maneks paguan 90,000 dollarë në muaj, ndërsa qeveria serbe paguan 10,000 dollarë.
Mbetet e paqartë pse Maneks, një kompani private, punësoi lobistët amerikanë ose pse objektivat e saj janë pothuajse identike me ato të qeverisë serbe.
Ajo që është e qartë, megjithatë, është se Serbia po investon më shumë për lobimin në SHBA që kur Trumpi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.
Pavarësisht nëse kjo është pasojë e lobimit apo e mungesës së interesit të rëndësishëm politik të administratës Trump për Ballkanin, administrata aktuale amerikane nuk e ka vënë publikisht Vuçiçin përballë problemeve të tij të brendshme politike dhe as nuk ka ushtruar llojin e presionit që vinte nga administratat e mëparshme.
Ndërkohë, vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd kaloi pa duartrokitje nga Uashingtoni. Edhe deklarata e tij në mbështetje të qëndrimit të Serbisë për pavarësinë e Kosovës – një kundërshtim i drejtpërdrejtë i qëndrimit amerikan – kaloi pa koment.
Disa analistë e interpretuan vizitën si një fitore të vogël diplomatike për Perëndimin: Serbia po tregonte vullnet të mirë ndaj BE-së dhe, të paktën në mënyrë simbolike, po largohej pak më shumë nga Moska.
Prej kohësh është raportuar – ndonëse nuk është konfirmuar kurrë zyrtarisht – se Beogradi furnizon Ukrainën me armë dhe se Moska bën një sy qorr ndaj kësaj.
Përpara vizitës së Zelenskyt, ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, e përgatiti terrenin duke folur publikisht për armët serbe që mbërrijnë në Ukrainë, duke thënë se procesi po zhvillohej me mbështetjen amerikane.
Administrata aktuale, të paktën publikisht, nuk shfaq të njëjtin entuziazëm për mbështetjen e Ukrainës. Dhe ndërsa Uashingtoni po ushtron presion mbi Rusinë, ai po i lë gjithashtu Moskës hapësirë të konsiderueshme për manovrim.
Kompania e naftës NIS është nën sanksionet amerikane, por Thesari amerikan ka lëshuar edhe një herë një përjashtim që lejon rafinerinë të operojë deri më 28 gusht, ndërsa vazhdojnë negociatat për shitjen e aksioneve të shumicës në pronësi ruse.
Të ecësh i vetëm
Përveç çështjes së energjisë, nuk ka asnjë presion publik amerikan ndaj Beogradit për të bërë një zgjedhje përfundimtare mes Rusisë dhe Perëndimit.
Kjo i përshtatet në mënyrë të përkryer qeverisë serbe. Ajo mund të ruajë marrëdhënien me Uashingtonin, të mbajë lidhjet me Moskën dhe, brenda vendit, të vazhdojë të luajë kartën pro-ruse me votuesit.
E njëjta paqartësi mund të shihet edhe në rastin e Milorad Dodikut, dikur objektiv i sanksioneve amerikane, por historia e të cilit ka marrë një tjetër kthesë të jashtëzakonshme.
Megjithëse administrata Trump pezulloi sanksionet e vendosura në bazë të dy urdhrave ekzekutivë gjatë administratës Biden, Dodik tani po padit Departamentin amerikan të Thesarit dhe sekretarin Scott Bessent, duke argumentuar se sanksionet ishin të pavlefshme dhe të paligjshme, sepse presidenti Joe Biden nuk i kishte nënshkruar personalisht urdhrat ekzekutivë, por kishte përdorur një firmë elektronike – duke i bërë jehonë akuzave të vetë Trumpit.
Dodik dhe paditësit e tjerë po i kërkojnë Gjykatës së Distriktit të SHBA-së në Miami jo vetëm t’i shpallë sanksionet të paligjshme, por edhe të fshijë të dhënat qeveritare mbi të cilat ato bazohen.
Ai kërkon vetëm 1 dollar si dëmshpërblim simbolik, por qëllimi i vërtetë duket se është mbrojtja e tij nga mundësia e vendosjes së sanksioneve në të ardhmen. Dhe kjo frikë nuk është tërësisht e pabazë.
Ndërsa Dodik shihet nga disa si mik i administratës Trump në Uashington, një grup dypartiak anëtarësh të Kongresit ka bërë më parë thirrje për rikthimin e sanksioneve ndaj tij për përpjekjet e tij për të minuar Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.
Tani, senatorët po bëjnë thirrje për sanksione ndaj zyrtarëve të Republikës Srpska pas akuzave se punonjësit e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës janë marrë në pyetje nga policia e Republikës Srpska.
Senatorët iu referuan Western Balkans Democracy and Prosperity Act – Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor – i cili parashikon sanksione ndaj atyre që destabilizojnë rajonin dhe minojnë institucionet demokratike.
Nuk ka pasur asnjë reagim publik nga pushteti ekzekutiv, por kjo heshtje është domethënëse. Administrata e ka bërë të qartë se interesat tregtare janë përparësi dhe një kompani amerikane me lidhje të ngushta me Trumpin vazhdon të ndërtojë gazsjellësin në Bosnjë, i cili mund të ulë varësinë energjetike të vendit nga Rusia.
Heshtja për hapjen e mundshme të Urës së Ibrit në veri të Kosovës është një tjetër shembull.
Ura me rëndësi për sigurinë, që ndan Mitrovicën e Veriut nga ajo e Jugut, mund të hapet pasi forca paqeruajtëse e udhëhequr nga NATO, KFOR, me këmbënguljen e SHBA-së, reduktoi praninë e saj.
Serbia dëshiron që ura të mbetet e mbyllur. Kosova dëshiron që ajo të hapet. Ndërkohë, Uashingtoni duket jashtëzakonisht i heshtur.
Kjo përputhet me preferencën e përgjithshme të administratës Trump për të bërë më pak punë në fushën e sigurisë në Evropë përmes partneriteteve dhe institucioneve globale.
Superjahti i ambasadorit
Pastaj është Shqipëria, parlamenti i së cilës miratoi një hua prej 302 milionë dollarësh nga SHBA-ja, që pritet të përdoret për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
Ky është një tjetër shembull i përpjekjes së Uashingtonit për të forcuar pozicionin e vet në Ballkan, por përmes interesave ekonomike dhe ushtarake dhe lidhjeve të veta.
Shqipëria do ta shlyejë huanë për 12 vjet, me një normë interesi që po mbahet e fshehtë.
Ndërkohë, gjenerali në pension, Eric Wendt është konfirmuar nga Senati si ambasadori i ri amerikan në Shqipëri – deri tani i vetmi vend në rajon që ka një ambasador të ri në detyrë.
Mali i Zi mund të jetë i radhës. Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë i Senatit zhvilloi këtë muaj një seancë dëgjimore për Peter McCoy, një ish-prokuror nga Karolina e Veriut, i afërt me Trumpin dhe i nominuar si ambasador në Malin e Zi.
Ndërsa pret konfirmimin nga Senati të ambasadorit të ri, Mali i Zi priti përfaqësuesin diplomatik amerikan në Itali, Tilman Fertitta – pronarin e Houston Rockets.
Platforma e tij diplomatike është një superjaht privat me vlerë gjysmë miliardë dollarë, i quajtur Boardwalk.
Në kuadër të festimeve për 250-vjetorin, Fertitta priti zyrtarë malazezë në jahtin e tij në Tivat.
Kjo ekstravagancë diplomatike publike-private është një tjetër tregues se administrata Trump ndjehet rehat duke ndërthurur politikën, biznesin dhe marrëdhëniet personale – dhe madje mund të preferojë një jaht luksoz në vend të një zyre në ambasadë./Reporter.al
Po ndodh...
Kosova nuk ka kthim pas. PIKË!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128