Uljan Shpataraku, Jeton Lami, Muçi Shaljani/ Çfarë i shtyn zyrtarët e lartë të policisë të bëhen eskortë e bosëve të krimit?

27 August 2026, 18:06 / AKTUALITET ALFA PRESS
Uljan Shpataraku, Jeton Lami, Muçi Shaljani/ Çfarë i shtyn

Arrestimi i të shumëkërkuarit Ergys Agasi, mbrëmjen e djeshme në zonën e Plepave në Durrës, në një mjet që drejtohej nga ish-zyrtari i lartë i Policisë Uljan Shpataraku, rikthen edhe njëherë në vëmendje historitë e efektivëve të lidhur me eksponentë të lartë të krimit.

Shpataraku, një nga njerëzit me më shumë pushtet në radhët e Policisë së Shtetit, në kohën që ajo drejtohej nga Ilir Proda, u përjashtua menjëherë pas ardhjes në detyrë të Skënder Hitës. E duket se në këto muaj nuk ka qendruar duarkryq. Pas implikimit në një konflikt me stafin e një hoteli në jug të vendit, pasi nuk i përlqeu shërbimi, ai ishte shpallur në kërkim nga Policia, për akuzën e kanosjes.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi që nga arratia të akuzonte indirekt Hitën për hakmarrje dhe sulme personale, ndërkohë që historia tregoi se në fakt drejtori aktual i policisë kishte pasur të drejtë për përjashtimin e tij. Shpataraku tashmë është vënë në pranga, për akuzën e përkrahjes së autorit të krimit, ndërkohë që mbetet e paqartë lidhja e tij me Agasin, dhe se çfarë e shtyn një ish-zyrtar të lartë policie që të shërbejë si eskortë për një biznesmen të shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme. Por rasti i Shpatarakut fatkeqësisht nuk është i vetmi…

Në media është raportuar vazhdimisht për efektivë të lidhur me segmente të krimit të organizuar, ndërsa një tjetër rast, nga më të bujshmit ka qenë ai i Jeton Lamit, personit të fundit që ka parë të gjallë bosin e lojërave të fatit Ervis Martinaj. Lami një ish-efektiv i forcave operacionale, shërbente si shoqërues për Ervis Martinaj, e madje ka pasur dyshime se mund të ketë qenë i implikuar në zhdukjen e tij. Po ashtu emri i Lamit doli në skenë dhe pas vrasjes së Brilant Martinajt, në një atentat të frikshëm pranë mbikalimit të Fushë Krujës.

Në dosjen e prokurorisë u ngritën dyshimet, të cilat nuk janë provuar ende, që Lami mund të ketë dhënë informacione te kundërshtarët që çuan më pas në atentatin me tre viktima, ku humbi jetën Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha. Lami u dënua me 2 vite e 10 muaj burg nga Gjykata e Lezhës për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa qëndroi në qeli për rreth 15 muaj. Por edhe pas përfundimit të dënimit për akuzën e shpërdorimit të detyrës, Lami është përfshirë në disa ngjarje të tjera kriminale në vend, përfshirë gjobvënien, dhe vendosjen e një sasie tritoli në një lokal në zonën e Kamzës.

Muçi Shaljani, është po ashtu një nga efektivët e Policisë së Shtetit, punonjës pranë Agjensisë për Mbikëqyrjen Policore, që u ekspozua në një ngjarje të rëndë kriminale. Ai mbeti i plagosur rëndë, dhe më pas humbi jetën në spital, pas atentatit të ndodhur në Rinas, për eleminimin e Gilmando Danit. Ky i fundit, i njohur gjerësisht si miku i Emiljano Shullazit, mbeti i vrarë në vend, menjëherë sapo mbërriti nga një udhëtim nga Spanja, ku ishte pikërisht në shoqërinë e Shaljanit. Implikimi i këtij të fundit, në një miqësi me Danin, dhe kriteret për punësimin e tij, u bënë shkak për një sërë hetimesh dhe pezullimesh në radhët e AMP-së.

Por pavarësisht rasteve konkrete, dhe hetimeve sporadike nga ana e Agjensisë së Mbikëqyrjes Policore, elementët e ‘krimbur’ në radhët e Policisë së Shtetit, duket se janë ende të pranishëm, ndërkohë që pozicioni që ata mbajnë në shtet, iu shërben për t’iu hapur dyert e lidhjeve me personazhet e botës së krimit. /SHEKULLI

Po ndodh...