Ofendoi gazetarin pas deklaratave në televizion, procedohet penalisht vëllai i Igli Tares!

8 October 2026, 13:02 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ofendoi gazetarin pas deklaratave në televizion, procedohet penalisht

Policia e Tiranës ka referuar në Prokurori materialet procedurale për Agron Taren, vëllain e Igli Tares, pasi ai ka kërcënuar gazetarin Almer Toska, pas disa denoncimeve që bëri në News24 në lidhje me vjedhjet e Belinda Ballukut.

Sipas kallëzimit të bërë nga Almer Toska, pas daljes nga studio, ku kishte folur për Igli Taren, vëllai i tij, Agron Tare e kishte kontaktuar në telefon.

Në kallëzimin e tij, gazetari pretendon se Agron Tare i kishte dërguar edhe mesazhe me përmbajtje fyese dhe i kishte kërkuar të takoheshin.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. T., 51 vjeç, banues në Tiranë.

Procedimi nisi pas kallëzimit të bërë nga shtetasi A. T., 37 vjeç, me profesion gazetar, i cili ka kallëzuar se, pas daljes nga një studio televizive, ku kishte bërë deklarata lidhur me shtetasin I. T. dhe vëllain e tij, shtetasin A. T., ky i fundit e kishte kontaktuar në telefon dhe i kishte dërguar një mesazh, duke e ofenduar dhe duke i kërkuar të takoheshin.

 Në lidhje me kallëzimin, është shoqëruar shtetasi A. T., i cili ka deklaruar se e kishte kontaktuar kallëzuesin për t’i kërkuar sqarime lidhur me deklaratat e bëra prej tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Po ndodh...