Protesta dhe përplasje në Europë, mijëra qytetarë në rrugë, qindra të ndaluar në Francë dhe Itali

18 October 2026, 23:07 / BOTA ALFA PRESS

Protesta dhe përplasje në Europë, mijëra qytetarë

Europa po përjeton një fundjavë të tensionuar, me protesta dhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë në disa vende.

Franca dhe Italia janë përballur me incidentet më të mëdha, ku janë shënuar dëme materiale, zjarre dhe qindra persona të ndaluar.

Në Francë, protestat vijuan edhe këtë të diel në Paris, ku qindra demonstrues u mblodhën në Place de la République.

Gjatë tubimit pati përplasje me policinë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të shpërndarë turmën.

Sipas AFP-së, rreth 2 mijë persona ishin ndaluar në të gjithë Francën pas trazirave të së shtunës. Incidente u regjistruan edhe në Lion, Marsejë dhe Limoges, ku pati dëmtime të ndërtesave publike dhe bizneseve. Në Limoges, një ndërtesë e bashkisë u përfshi nga flakët.

Edhe në Itali, situata është tensionuar, veçanërisht në Milano, ku demonstruesit u përplasën me policinë dhe dëmtuan vitrina e dyqane. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.

Sipas agjencisë italiane ANSA, gjatë së dielës 160 persona u shoqëruan në komisariat për identifikim. Ndërsa nga përplasjet e së shtunës u raportuan 25 të plagosur, mes tyre 10 efektivë policie. Protesta dhe incidente pati edhe në Torino e Bolonja.

Pakënaqësitë në vendet europiane lidhen kryesisht me rritjen e kostos së jetesës, pagat e ulëta, problemet me strehimin dhe shërbimet publike.

Në Belgjikë, studentët kanë protestuar kundër kostove të arsimit, ndërsa në Portugali dhe Spanjë shqetësim kryesor mbeten çmimet e larta të qirave.

Në këtë valë protestash përfshihet edhe Shqipëria. Të dielën, Tirana u përball me ditën e gjashtë të protestave kundër qeverisë, ku u shënuan përplasje të forta mes demonstruesve dhe policisë.

Ndryshe nga protestat në disa vende të tjera europiane, në Shqipëri kërkesa kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. 

Po ndodh...