Rama akuzoi Rusinë se qëndron pas revoltës, reagon Moska: Janë qytetarët e vendit tuaj që kanë dalë në rrugë në protestë

18 October 2026, 22:49 / POLITIKË ALFA PRESS
Rama akuzoi Rusinë se qëndron pas revoltës, reagon Moska:

Akuzat e kryeministrit Edi Rama se Rusia dhe Irani mund të kenë gisht në protestat kundër qeverisë shqiptare kanë nxitur reagimin e Moskës. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka hedhur poshtë pretendimet e kreut të qeverisë, duke i kërkuar të mos ua faturojë faktorëve të huaj zemërimin e qytetarëve shqiptarë.

Përmes një deklarate të publikuar nga Ambasada Ruse në Tiranë, Zakharova i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Rama, duke theksuar se përgjegjësia për problemet e brendshme të vendit u takon autoriteteve shqiptare dhe se protestat janë shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve.

“Kryeministri i Shqipërisë ka akuzuar Rusinë dhe Iranin se qëndrojnë pas trazirave në vend. Edi Rama deklaroi se protestat janë vepër e të huajve që nuk duan që Shqipëria t’i bashkohet BE-së. Jo, Edi Rama, janë qytetarët e vendit Tuaj që kanë dalë në rrugë në protestë, dhe Ju nuk duhet t’i hidhni fajin të tjerëve. Rregulloni vetë problemet Tuaja të brendshme”, thuhet në reagimin e zëdhënëses ruse.

 

Deklarata e Moskës vjen në ditën e gjashtë të protestave në Shqipëri, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Tubimet dhe tensionet janë shtrirë edhe jashtë kryeqytetit, ndërsa qytetarët vijojnë reagimin kundër qeverisë.

Me këtë qëndrim, Zakharova kundërshton publikisht pretendimet e Ramës për përfshirje të mundshme të Rusisë dhe Iranit, duke e vendosur theksin te pakënaqësia e brendshme dhe përgjegjësia e autoriteteve shqiptare për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.

 

Po ndodh...