“Puka nuk do të bashkohet me ne”, kryebashkiaku i Fushë Arrëzit: Ma tha kryetari kur protestoi me ne

13 August 2026, 16:55 / POLITIKË ALFA PRESS
“Puka nuk do të bashkohet me ne”, kryebashkiaku i Fushë

Kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit, Hil Curri, ka dalë në një kundërshtim të hapur ndaj projektligjit të qeverisë për ndarjen e re administrative-territoriale. I ftuar ne A2 CNN, Curri ka theksuar se kundërshtimi ndaj këtij projekti vjen edhe nga vetë drejtuesit e Bashkisë së Pukës, të cilët nuk pranojnë shkrirjen apo bashkimin e dy bashkive.

Gjatë intervistës, Curri solli në vëmendje protestat dhe mbështetjen e marrë nga komunitetet dhe krerët lokalë të zonës. Sipas kryetarit të Fushë Arrëzit, gjatë një proteste të zhvilluar në qytet kundër këtij projektligji, vetë kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj, kryetari i këshillit bashkiak, si dhe krerë vendorë nga Mirdita (për shkak të lidhjeve tradicionale dhe kufitare), kanë deklaruar publikisht se nuk janë dakord me bashkimin e dy bashkive.

Curri zbuloi gjithashtu se nuk ishte ftuar në takimin e zhvilluar të mërkurën nga Kryeministri Edi Rama me kryetarët e bashkive në Kuç të Vlorës, duke shtuar se pavarësisht ftesës, qëndrimi i tij do të kishte qenë po i njëjtë kundërshtues.

Kryetari i Fushë Arrëzit ka hedhur akuza të forta mbi mënyrën se si po ndërtohet kjo reformë dhe mbi legjitimitetin e vendimmarrjes. Curri theksoi se fatet e një komuniteti nuk mund të vendosen arbitrarisht nga një ministër apo një deputet i zonës, duke ngritur pyetjen se cili deputet i mazhorancës do të guxonte ta votonte një projekt të tillë që cenon banorët. Ai hodhi poshtë pretendimet se ky projekt mbështetet në ekspertizë të Bashkimit Europian, duke argumentuar se Fushë Arrëzi u ka shërbyer qytetarëve me mundësitë që ka pasur dhe se nuk do të lejojë që të luhet me të ardhmen e banorëve të zonës.

Po ndodh...