Reforma territoriale, banorët e Patosit në protestën e 4-t kundër bashkimit me Fierin: Mos na prekni autonominë

29 August 2026, 12:15 / AKTUALITET ALFA PRESS
Reforma territoriale, banorët e Patosit në protestën e 4-t

Banorët e Patosit janë ngritur sërish në protestë këtë të shtunë, për të katërtën herë radhazi, për të kundërshtuar projektin e reformës territoriale që parashikon bashkimin e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier.

Qytetarët kërkojnë që Patosi të vijojë të funksionojë si njësi vendore më vete, duke insistuar se qyteti i tyre i plotëson të gjitha kapacitetet për të administruar vetë territorin dhe financat.

Gjatë protestës, ku u bashkuan edhe mjaft qytetarë të moshës së tretë, u ngritën shqetësime se bashkimi administrativ do të çonte në lënien e Patosit në plan të dytë sa i përket investimeve dhe shërbimeve publike. Banorët argumentuan se bashkia e tyre është financiarisht e qëndrueshme, nuk ka detyrime ndaj buxhetit të shtetit dhe se ndër vite janë realizuar investime të rëndësishme.

“Ne këtu në Patos do të festojmë 100-vjetorin e grevës së parë të punëtorëve të naftës. Kjo histori duket se nuk njihet. Pse duan të shkatërrojnë qytetin e naftëtarëve të Patosit?”, kanë deklaruar protestuesit.

Sipas tyre, përveç anës administrative, ruajtja e autonomisë lidhet drejtpërdrejt me historinë dhe identitetin e qytetit të ndërtuar rreth industrisë së naftës.

Organizatorët e tubimit bënë me dije se kundërshtimi i tyre do të vijojë edhe në ditët në vazhdim pa marrë parasysh vullnetin e komunitetit. Ata paralajmëruan përshkallëzim të reagimit popullor, duke mos përjashtuar as bllokimin e aksit rrugor që lidh Patosin me zonat përreth, nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh nga autoritetet.

Po ndodh...