Sekretari i Përgjithshëm i FIBA në Tiranë, takim me Presidentin e FSHB Avni Ponari

8 October 2026, 16:24 / SPORT ALFA PRESS

Sekretari i Përgjithshëm i FIBA në Tiranë, takim me

Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, z. Avni Ponari dhe drejtues të FSHB pritën sot një vizitë zyrtare të z. Andreas Zagklis, sekretar i Përgjithshëm i FIBA. Z. Zagklis shoqërohej nga Michael Konecny, drejtor i Federatave nacionale në FIBA.

Në hapje të takimit z. Zagklis i dhuroi z. Ponari një tablo me një dokument autentik në përkujtim të 80-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në FIBA. Në qendër të bisedës ishin interesi i madh për basketbollin e moshave të reja, për basketbollin e grave dhe vajzave dhe veçanërisht për turnetë 3 kundër 3.

Z. Ponari paraqiti një panoramë të plotë të pjesëmarrjes së rregullt të Shqipërisë në aktivitetet ndërkombëtare prej mëse një dekade, si edhe për aktivitetet e shumta të ndërmarra nga Federata, veçanërisht për t’u dhënë një mbështetje më të madhe grupmoshave. Z. Ponari ndau edhe sfidat e hasura si president i Federatës Shqiptare të Basketbollit.

Për sekretarin e Përgjithshëm të FIBA, një vend si Shqipëria me një diasporë shumë të gjerë, rregullat e reja përbëjnë oportunitet për një përfaqësim ndërkombëtar dinjitoz. Me rregulloren e re kombëtarja tanimë mund të natyralizojë si shqiptarë lojtarë të rinj deri në moshën 18-vjeçare, duke u dhënë pasaportat shqiptare. Më herët rregullorja lejonte deri në moshën 16-vjeçare këtë mundësi. Për z. Zegkalis kjo përfaqëson një mundësi shumë të mirë për kombëtare si Shqipëria.

Sekretari i Përgjithshëm i FIBA solli shembullin e kampeve të seleksionimit që Republika Dominikane mban çdo verë në SHBA, duke i trajtuar si një aktivitet të ndërmjetëm mes argëtimit dhe përzgjedhjes së elementëve premtues në basketboll. Z. Ponari dhe drejtuesit e Federatës sollën shembuj të ngjashëm organizimesh të FSHB në Itali dhe në Greqi.

Biseda e z. Zegklais me z. Ponari u ndal edhe te ligji i sponsorizimeve dhe nevoja, që në Shqipëri kjo të përshpejtohet. Kjo do të sillte më shumë mbështetje për nivelin e basketbollit, për moshat dhe infrastrukturën. Z. Zegkalis u tregua shumë mbështetëse për idenë e miratimit të ligjit, që do të sillte më shumë biznese dhe më shumë para të biznesit në botën e basketbollit.

Sekretari i Përgjithshëm i FIBA tregoi se në vitet kur jetonte në Greqi, ai i përkiste gjeneratës së parë, e cila u rrit me shumë miq dhe bashkëmoshatarë shqiptarë dhe se ndjehej shumë familjar në vizitën e tij në Shqipëri. Z. Zegkalis ndau edhe përjetime të vetat personale, që e afronin me Shqipërinë dhe shqiptarët, si edhe dëshmoi mbështetjen e tij të pakushtëzuar për FSHB-në dhe zhvillimin e mëtejshem të basketbollit shqiptar.

Me ndërtimin e stadiumit të ri të basketbollit, z. Zagklis u shpreh entuziast se me ta patur gati Shqipëria do ta kishte plotësisht të mundur organizimin gradual të turneve ndërkombëtarë në nivel klubesh profesionale.

Z. Zagklis është autoriteti më i lartë i basketbollit që ka vizituar Shqipërinë.

Po ndodh...