"SPAK mburojë e krimeve të PS-së", Berisha lëshon akuza: 54 dosje për zgjedhjet e fundit janë konservuar turshi

19 October 2026, 10:59 / POLITIKË ALFA PRESS

"SPAK mburojë e krimeve të PS-së", Berisha lëshon

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” të caktuar nga gjykata.

Në dalje të institucionit, në një prononcim për mediat, Berisha ka akuzuar institucionet e drejtësisë për mosveprim ndaj shkeljeve të pretenduara zgjedhore.

Kreu i demokratëve e cilësoi organizatën e Partisë Socialiste si armiqësore ndaj votës së lirë dhe pluralizmit politik, ndërsa akuzoi SPAK-un se nuk ka vepruar ndaj dosjeve që, sipas tij, lidhen me krimet zgjedhore.

“Për këtë organizatë të Partisë së Krimit, 54 dosje të dorëzuara vetëm për zgjedhjet e fundit janë konservuar turshi dhe i janë dhënë Partisë së Krimit”, deklaroi Berisha.

Ai pretendoi gjithashtu se gjatë fushatës zgjedhore janë zhvilluar 4,530 aktivitete jashtë afateve ligjore, me synimin për të ndikuar te votuesit. Berisha akuzoi më tej patronazhistët për mbledhjen e të dhënave personale, përdorimin e lejeve të ndërtimit dhe certifikatave të pronësisë, si dhe për kërcënime të pretenduara në këmbim të votës.

Kreu i PD-së ngriti akuza edhe për faljen e 2.1 miliardë eurove në gjoba dhe kamatëvonesa, si dhe për dhënien e 138 licencave për kultivimin e kanabisit. Sipas tij, këto veprime janë përdorur për të ndikuar në rezultatin zgjedhor dhe për të favorizuar Partinë Socialiste.

Në vijim, Berisha pretendoi se grupe kriminale janë mobilizuar gjatë fushatës elektorale në mbështetje të kandidatëve të caktuar, ndërsa iu referua edhe konstatimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë për ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore në Shqipëri.

“Për këtë organizatë, armike të pluralizmit politik, asnjë parim, asnjë ligj, nuk vlen para fitores dhe rrëmbimit të mandatit nga Padrino i tyre”, u shpreh Berisha.

Berisha u shpreh më tej se protestat kundër qeverisë do të vijojnë, duke deklaruar se, sipas tij, Edi Ramës po i vjen fundi.

Po ndodh...