Turqia drejt shkarkimit të Montellës, mediat zbulojnë pasuesin e mundshëm

7 October 2026, 16:09 / SPORT ALFA PRESS

Turqia drejt shkarkimit të Montellës, mediat zbulojnë pasuesin e

Vincenzo Montella mund të mos jetë më trajneri i kombëtares së Turqisë. Federata Turke e Futbollit raportohet se ka marrë vendimin për të ndërprerë bashkëpunimin me teknikun italian, pas rezultateve zhgënjyese të periudhës së fundit.

Sipas mediave turke, vendimi vjen pas dy humbjeve të fundit ndaj Italisë në Ligën e Kombeve, si dhe pas paraqitjes së dobët në Kupën e Botës, ku Turqia siguroi kualifikimin, por nuk arriti të kalonte fazën e parë.

Gazeta turke Milliyet raporton se drejtuesit e federatës kanë vendosur për shkarkimin e Montellës. Sipas të njëjtit burim, trajneri italian, i cili përfiton rreth 183 mijë euro në muaj, do të marrë një dëmshpërblim prej pesë pagash mujore si pjesë e ndërprerjes së kontratës.

Megjithatë, deri në këto momente, nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga Federata Turke e Futbollit. Montella mori drejtimin e kombëtares turke në vitin 2023. Në 40 ndeshje, mes takimeve zyrtare dhe miqësoreve, italiani ka regjistruar 21 fitore, 14 humbje dhe 5 barazime.

Por bilanci i ndeshjeve të fundit ka qenë shumë më negativ. Në shtatë takimet e fundit, përfshirë sfidat në Botëror dhe Nations League, Turqia ka marrë vetëm një fitore dhe ka pësuar gjashtë humbje. Sipas raportimeve të mediave turke, shkarkimi i Montellës pritet të formalizohet zyrtarisht të premten.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit e federatës kanë nisur të shqyrtojnë alternativat për pasuesin e italianit. Emri që po qarkullon më shumë është ai i Arda Turan, ish-futbollistit të njohur turk, i cili aktualisht drejton Shakhtar Donetsk në Ukrainë.

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haciosmaoglu, është përballur me kritika të shumta pas rezultateve të fundit të kombëtares, por sipas mediave turke nuk ka ndërmend të largohet nga posti.

Po ndodh...