U largua nga Ministri i Brendshëm, reagon Besfort Lamallari: Një rrugëtim i paharrueshëm, do t’ia kthej nderin dhe besimin Ramës

11 September 2026, 13:18 / POLITIKË ALFA PRESS
U largua nga Ministri i Brendshëm, reagon Besfort Lamallari: Një

Besfort Lamallari ka reaguar pas largimit nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme, duke e cilësuar shërbimin në institucionet shtetërore si një privilegj dhe një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës së tij profesionale dhe politike.

Në një mesazh të publikuar pas përfundimit të detyrës, Lamallari shprehet se nuk ka nder më të madh sesa t’i shërbesh vendit dhe të përpiqesh çdo ditë të japësh më të mirën në përgjegjësitë që të besohen.

Ai veçon në mënyrë të posaçme eksperiencën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, institucion ku thotë se është rritur profesionalisht, politikisht dhe njerëzisht.

“Drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe në veçanti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni ku u rrita profesionalisht, politikisht dhe mbi të gjitha si njeri është më shumë se sa një privilegj. Është ‘libri i jetës’ i cili të udhëzon drejt më tej në çdo stacion vijues”, shprehet Lamallari.

Në mesazhin e tij, ish-ministri falënderon kryeministrin Edi Rama për mundësinë dhe besimin e dhënë, ndërsa konfirmon se do të vijojë angazhimin e tij politik në një rol të ri brenda ekipit të qeverisë.

“Për këtë mundësi të jashtëzakonshme, mirënjohje gjithmonë Kryeministrit Edi Rama, të cilit tashmë do të kem kënaqësinë e veçantë t’ia kthej nderin e lartë dhe besimin tek unë edhe përmes angazhimit të ri si pjesë e ekipit të Tij”, shkruan ai.

Lamallari ka shprehur gjithashtu mirënjohje për bashkëpunëtorët e tij dhe familjen, duke e cilësuar periudhën në drejtimin e institucioneve si një rrugëtim të paharrueshëm.

“Ka qenë një rrugëtim i paharrueshëm me ekipin më të mirë në krah dhe i bekuar nga mbështetja deri në sakrificë e familjes time”, shprehet ai.

Po ndodh...

ide