Zjarri “pushton” kodrat e Tiranës, flakët përhapen me shpejtësi drejt Surrelit! Bllokohet aksi Tiranë-Lundër-Daias
Pamje apokaliptike vijnë këtë mbrëmje nga zonat kodrinore të Daiasit, pranë Lundrës dhe kodrat përreth Tiranës, ku një zjarr i përmasave të mëdha vijon të jetë aktiv. Flakët janë përhapur në terrenin kodrinor dhe për fatin e keq nga era po përhapen me shpejtësi dhe në zonat përreth, përfshirë edhe Surrelin.
Situata në zonën e Daiasit dhe në kodrat përreth vijon të jetë kritike, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit. Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Tiranës dhe Kamzës, ndërsa në ndihmë të tyre janë bashkuar edhe zjarrfikësit e Elbasanit.
Për shkak të përmasave të flakëve, Policia ka bllokuar qarkullimin në aksin rrugor që lidh Tiranën me Lundrën dhe Daiasin. Bllokimi është vendosur në hyrje të Mulletit, ku automjetet nuk lejohen të vijojnë lëvizjen drejt zonës së përfshirë nga zjarri.
Në terren ndodhet edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba së bashku me struktura të tjera të Policisë, të cilat po monitorojnë situatën dhe po menaxhojnë perimetrin e sigurisë.
Deri në këto momente, zjarri vijon të jetë i përqendruar në zonat kodrinore dhe nuk raportohet të jetë pranë banesave apo objekteve. Prioriteti i forcave në terren është frenimi i përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Situata e zjarreve ka sjellë probleme edhe në furnizimin me ujë. Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë ka njoftuar se për shkak të situatës së krijuar nga zjarret në zonën e Priskës dhe Farkës, stacioni i pompimit në Priskë është fikur për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Për pasojë, banorët e Lundrës do të përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë.
“Për shkak të situatës së zjarreve në zonën e Priskës dhe të Farkës Stacioni i Pompit në Priskë është fikur pasi ka ndërprerje të energjisë elektrikë. Për rrjedhojë në zonën e Lundrës do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë.”, thuhet në njoftimin e UKT-së.
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128