Agasi kundër SPAK, reagon nga burgu: Nuk ka pasur takime me Hysenin, asnjë dokument sekret në makinën time

29 September 2026, 21:16 / POLITIKË ALFA PRESS
Agasi kundër SPAK, reagon nga burgu: Nuk ka pasur takime me Hysenin,

Ergys Agasi ka reaguar përmes avokatit të tij, Maksim Haxhia, lidhur me të dhënat dhe pretendimet e bëra publike në kuadër të hetimeve të SPAK.

Në një intervistë për Top Channel, Haxhia ka përcjellë versionin e klientit të tij, duke kundërshtuar pretendimet që lidhen me takimet me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, si dhe me dokumentet që dyshohet se janë gjetur në automjetin e Agasit.

“Po e deklaroj çfarë kam biseduar me klientin dhe më ka thënë: asnjëra nga ato nuk qëndron. Kryetarja e shërbimit informativ nuk ka qenë asnjëherë në zyrën time. Nuk e kam takuar asnjëherë, në kuptimin që të kenë takime të vazhdueshme. Se çfarë ruajnë ata në kuptimin e funksionimit të atij institucioni është tjetër gjë, këtë nuk e di…, që është një lidhje, që është aset, a është në shërbim… këtë nuk di ta them. Vetëm di të them që ai sfidon. Më ka thënë që sfidoj këdo që të thotë: ‘Unë kam bashkëpunuar me sekretet shtetërore’ dhe e dyta: ‘Që në makinën që kam pasur në shtëpi janë gjetur dokumente’.”

Sa i përket pretendimeve për dokumentet dhe materialet që dyshohet se janë gjetur në automjetin e Agasit, avokati ka kundërshtuar versionin e bërë publik dhe ka deklaruar se klienti i tij është i gatshëm të përballet me këto pretendime.

“Sfidon këdo për ato biseda që kanë nxjerrë në media ose në publik dhe thotë: ‘Po të ishin se në makinën time, që aty ka qenë, nuk ka lëvizur, se është vërtetuar që nuk është makina me të cilën është kryer rrëmbimi, të jenë gjetur materiale të shërbimit informativ’. Kanë vënë në gojën e Agasit që ai ka deklaruar që: ‘I kam pasur këto dokumente dhe i kam lënë në makinë’. Jo, nuk është e vërtetë, aty kam qenë në proces. Këtë kundërshton ai. Ai thotë, edhe prokurorinë dhe këdo tjetër që të ballafaqohet.”

Haxhia ka ngritur gjithashtu pikëpyetje lidhur me publikimin e disa komunikimeve telefonike, duke argumentuar se ato, sipas tij, nuk kanë interes për hetimin. Avokati ka kërkuar që çdo material që pretendohet se ekziston të përfshihet në dosjen e hetimit, në mënyrë që mbrojtja të mund ta kundërshtojë atë në rrugë ligjore.

“Ne kërkojmë që prokuroria të distancohet, ose nëse janë të vërteta, t’i fusin në dosje, jo po të bëhet kallëzim ndaj prokurorisë. Jo, t’i vërë në dosje dhe ta bëjmë luftën ballë për ballë, pra ta bëjmë dyluftimin juridik me provat që ke, por e them përsërit, nuk besoj që prokuroria t’i ketë nxjerrë, sepse si ka, nuk i ka. …Ne, në cilësinë e mbrojtjes, na e kanë bërë mbrojtjen gati të pamundur. Ky variant fillon vazhdimisht, duke i bërë gjërat në publik, mbarset publiku dhe ne atëherë duhet të sqarojmë publikun dhe pastaj të bëjmë mbrojtjen juridike. Për mua është bërë një strategji dhe taktikë që ta vërë para fajësisë zotin Agasi.”/ Top Channel 

Po ndodh...

ide