Shqipëria bind sërish dhe merr kreun e grupit, kuqezinjtë mposhtin pastër San Marinon me 3 gola

29 September 2026, 22:41 / SPORT ALFA PRESS
Shqipëria bind sërish dhe merr kreun e grupit, kuqezinjtë

Shqipëria ka bërë më së miri detyrën, duke mposhtur me rezultatin e pastër 0-3 San Marinon në transfertë. Kuqezinjtë e kanë nisur me këmbën e mbarë aventurën në Ligën e Kombeve, teksa në dy ndeshjet e luajtura deri më tani ka marrë pikët e plota, 6 pikë.

Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran zhbllokoi ndeshjen në minutën e 21. Pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Kristjan Asllani dhe devijimit me kokë të Rei Manajt, Anis Mehmeti u gjend në vendin e duhur dhe e dërgoi topin në rrjetë. Për Mehmetin ky ishte goli i parë me fanellën e Kombëtares shqiptare.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, Shqipëria goditi sërish. Rei Manaj provoi me një goditje të fuqishme dënimi, portieri vendas arriti ta grushtonte topin, por Myrto Uzuni përfitoi nga topi i kthyer dhe e dërgoi në rrjetë për 0-2.

Goli i sulmuesit beratas u kontrollua edhe nga VAR-i, përpara se të konfirmohej përfundimisht.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e dyfishtë të Shqipërisë, e cila kontrolloi lojën dhe krijoi mundësi të tjera, duke pasur raste që rezultati të ishte edhe më i thellë.

Me nisjen e pjesës së dytë, kuqezinjtë gjetën edhe golin e qetësisë. Në minutën e 65, në zhvillimin e një goditje këndi, topi shkoi te Manaj i cili me dy tentativa mposhti portierin vendas.

Me këtë fitore, Shqipëria renditet në krye të grupit C1 në Ligën e Kombeve me 6 pikë, teksa ndiqet nga Finlanda me 4 pikë, Bjellorusia me 1 pikë dhe San Marino me 0 pikë.

Ndeshjen e ardhshme, Shqipëria do ta luajë të shtunën në orën 15:00 në transfertë përballë Finlandës, ku do të kërkojë të ruajë vendin e parë në grup.

san marino shqipëria liga e kombeve

Po ndodh...

ide