Armë në mal, dron me eksploziv në aeroport, plane për atentate - shërbimet sekrete ruse i kanë shpallur luftë Gjermanisë

21 August 2026, 13:42 / BOTA ALFA PRESS
Armë në mal, dron me eksploziv në aeroport, plane për

Gjermania po përballet gjithnjë e më hapur me një luftë të fshehtë ruse. Por në Berlin dhe në kryeqytetet e tjera europiane ende hezitohet të thuhet ajo që po ndodh në të vërtetë: Moska nuk po zhvillon luftë vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër Europës.

Gjermania gjithnjë e më shumë po vihet në shënjestër nga shërbimet sekrete ruse. Rasti më i ri: sipas një raporti mediatik, autoritetet gjermane të sigurisë kanë gjetur një depo të fshehtë armësh në afërsi të Berlinit.

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, siç quhet në Gjermani shërbimi i brendshëm sekret, supozon se depoja është ngritur me urdhër të shërbimeve sekrete ruse, njoftuan të premten mediumet gjermane Norddeutscher Rundfunk, Westdeutscher Rundfunk dhe „Süddeutsche Zeitung“.

Në depon, në një pyll në landin e Brandenburgut, ishin ruajtur dy armë zjarri të lehta. Sipas raportit, Prokuroria Federale e Gjermanisë tashmë po kryen hetime me dyshimin për përgatitjen e një vepre të rëndë dhune që rrezikon shtetin.

Një i dyshuar është arrestuar disa kohë më parë në Rumani. Sipas raportit, ai mund të ketë ngritur depon e armëve.

Mediat raportojnë se zyrtarët kishin marrë një informacion për vendstrehimin dhe e kishin gjetur atë që në fund të verës së kaluar. Autoritetet gjermane të sigurisë tashmë janë të bindura se armët u fshehën për agjentë, të cilët me urdhër të Rusisë duhej të kryenin vrasje politike.

Sipas mediave gjermane, drejtori i shërbimit të brendshëm sekret të Gjermanisë, Sinan Selen, ka paralajmëruar prej muajsh se shërbimet sekrete të Rusisë kanë ashpërsuar linjën e tyre dhe po planifikojnë gjithashtu atentate edhe në Gjermani.

Ky nuk është rasti i vetëm. Këtë javë një gjykatë në Stuttgart e dënoi një ukrainas me një vit e tre muaj burg për shkak të veprimtarisë agjenturore në shërbim të Rusisë. Ukrainasi, i cili banon në Zvicër, akuzohej se kishte planifikuar akte sabotazhi dhe atentate në Gjermani.

Me urdhër të shërbimit të fshehtë rus, ai kishte hulumtuar rrugët e transportit për pako me bomba. Dy persona të tjerë u liruan nga akuzat. Të tre personat u arrestuan në maj të vitit të kaluar në Gjermani dhe në Zvicër.

Keqbërësit si ukrainasi i dënuar në mediat gjermane quhen “Wegwerfagenten”: agjentë për përdorim të njëhershëm, të cilët pastaj flaken tutje. Ky nocion, sipas gazetës zvicerane “Tages-Anzeiger”, nisi të përdorej nga viti 2022.

“Që nga sulmi ndaj Ukrainës, shërbimet e fshehta të Rusisë kanë intensifikuar aktivitetet e tyre të fshehta në Evropë, duke zhvilluar me këtë rast edhe metoda krejtësisht të reja. Për forma të thjeshta të spiunazhit, sabotimit, vandalizmit, zjarrvënies, dezinformimit apo propagandës, ato përdorin gjithnjë e më shpesh të rinj që jetojnë në vendngjarje. Rekrutimi bëhet gjithandej dhe nëpërmjet rrjeteve sociale”.

Në fillim të këtij muaji aeroporti në Leipzig për pak i shpëtoi një katastrofe.

Sipas hetuesve gjermanë, një dron i mbushur me lëndë shpërthyese kishte për qëllim hedhjen në erë të një aeroplani ukrainas.

Autoritetet gjermane dyshojnë se pas kësaj vepre qëndrojnë shërbimet sekrete ruse. Policia zbuloi se droni ishte i pajisur me lëndë shpërthyese ushtarake.

„E gjithë kjo nuk tregon për taktika amatore. Po flasim për një situatë kërcënimi profesional dhe hibrid me të cilën duhet të vazhdojmë të përballemi”, tha ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt.

As Dobrindt, as kancelari Friedrich Merz nuk e akuzuan drejtpërdrejt Rusinë për sulmin e dështuar me dron në Leipzig.

Merz ka tri javë që nuk është shfaqur në publik, pasi ka njoftuar se do të shkojë për pushime.

Nuk dihet se ku është duke pushuar shefi i qeverisë gjermane, por në Gjermani disa media kanë filluar të pyesin me ton kritik se si është e mundur që kancelari të mos shfaqet publikisht për tri javë përballë zhvillimeve që prekin edhe çështje të sigurisë. Aeroporti i Leipzigut është një pikë kyçe logjistike për Ukrainën dhe NATO-n.

Gjatë dy viteve të fundit, Rusia e ka intensifikuar luftën e saj hibride kundër vendeve evropiane.

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) në Britani, nga gushti 2024 deri në shkurt 2026 janë regjistruar 144 incidente me dronë në 13 vende evropiane. Sipas IISS-së, ka një “probabilitet shumë të lartë” që pas këtyre aksioneve të qëndrojë regjimi i Moskës.

Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, deklaroi së fundi se qeveria e tij kishte informacione nga shërbimi sekret se drejtuesit e spiunazhit rus kishin marrë parasysh kryerjen e një sulmi nën „flamur të rremë“ (false flag) ndaj infrastrukturës energjetike në shtetet baltike ose në Poloni. Rusët kishin diskutuar inskenimin e një sulmi me dron në një pikë sensitive, që mund të bëhej të dukej sikur vinte nga Ukraina, tha ai, sipas “Financial Times”.

Në një koment të botuar së fundi në gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) kritikohej ngurrimi i politikanëve të Europës për ta emërtuar qartë Rusinë si shtet armik.

“Edhe pas katër vitesh e gjysmë lufte në Ukrainë, në të gjithë Evropën mbizotëron një ngurrim për ta quajtur Rusinë ashtu siç është në të vërtetë: armike. Do të duhej të pranohej se prej kohësh po zhvillohet luftë - e pashpallur, vërtet, dhe më së shumti një luftë “e ftohtë”, por gjithsesi një luftë. (...) Pushteti i Putinit bazohet te frika e Perëndimit. Ai di të luajë në mënyrë mjeshtërore me mjetet e frikës”.

Ministri gjerman Dobrindt tha se në Leipzig bëhej fjalë për një “skenar hibrid”. Komentatori i “NZZ” kritikoi përdorimin inflacionar të fjalës “hibrid” në përshkrimin e sulmeve ruse në Evropë. “Sa herë që ndodh diçka, kjo tani po quhet ‘hibride’. Kjo tingëllon profesionale dhe nuk do të thotë asgjë. Që nga koha kur termi ‘luftë hibride’ doli në sipërfaqe pas kalimit në këtë mijëvjeçar, ai ka bërë më shumë dëm sesa që solli dobi. Nëse Moska shpërndan lajme të rreme në internet, bëhet fjalë për luftë hibride. Nëse Moska dërgon spiunët e saj, është hibride. Ky inflacion e shndërron luftën në një çështje të rëndomtë dhe e trivializon atë. Nëse gjithçka është hibride, në fund asgjë nuk është më luftë”.

Në fakt, ajo që po bën Moska është luftë. Jo vetem kundër Ukrainës. Edhe kundër Evropës. 

Po ndodh...