Turqia i kërkon Interpolit të lëshojë njoftim të kuq për Netanyahu-n

21 August 2026, 15:04 / BOTA ALFA PRESS

Turqia i kërkon Interpolit të lëshojë njoftim të kuq

Turqia i ka kërkuar Interpolit të lëshojë një njoftim të kuq për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në kuadër të një procesi gjyqësor në vazhdim lidhur me një sulm ndaj aktivistëve në bordin e flotiljes "Global Sumud", e cila transportonte ndihma humanitare për në Gaza, tha të enjten ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek.

Në një deklaratë të publikuar në platformën turke të rrjeteve sociale NSosyal, Gurlek tha se procedurat gjyqësore po vijojnë në Gjykatën e 11-të të Rënde Penale të Stambollit ndaj 35 të pandehurve, mes tyre Netanyahu dhe Afek Moskovitch, lidhur me incidentin në ujërat ndërkombëtare.

Ai tha se urdhër-arrestet e lëshuara për Netanyahun dhe Moskovitch më 14 korrik 2026, me akuzën për “gjenocid”, e kanë shtyrë Ministrinë e Drejtësisë t’i kërkojë Ministrisë së Brendshme që të kërkojë nga Interpoli njoftime të kuqe për dy të dyshuarit.

Dokumentet përkatëse i janë përcjellë gjithashtu Ministrisë së Jashtme, tha Gurlek.

Sipas tij, Netanyahu dhe Moskovitch po ndiqen penalisht për veprime të dyshuara që lidhen me “ndërhyrjen e armatosur ndaj civilëve që transportonin ndihma humanitare për në Gaza në ujërat ndërkombëtare dhe ndalimin e aktivistëve”.

Akuzat përfshijnë “krime kundër njerëzimit”, “gjenocid”, “privim të agravuar të lirisë”, “plagosje të qëllimshme”, “torturë”, “dëmtim të pronës”, “grabitje të agravuar” dhe “rrëmbim të mjeteve të transportit”, shtoi ai.

“Ne nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të mbulohen apo që përgjegjësit të mbrohen nga një mburojë pandëshkueshmërie”, tha Gurlek.

“Do të përdorim me vendosmëri të gjitha mjetet që na ofrohen nga ligji kombëtar dhe ndërkombëtar”, shtoi ai.

 

Po ndodh...