Bayern Munich mposht Borussia Dortmundin dhe ngre trofeun e Superkupës së Gjermanisë

22 August 2026, 23:17 / SPORT ALFA PRESS
Bayern Munich mposht Borussia Dortmundin dhe ngre trofeun e Superkupës

Bayern Munich ka fituar Superkupën e Gjermanisë, pasi në finale mposhti Borussia Dortmundin me rezultat 2-1 në një përballje të luftuar deri në fund.

Bavarezët e nisën ndeshjen më mirë dhe arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 28-të. Nathaniel Brown bashkëpunoi mirë me Michael Olisen, para se të merrte një pasim që e nxori në pozitë të favorshme në hyrje të zonës. Brown u tregua i saktë dhe me një goditje të ulët mposhti Gregor Kobelin për 1-0.

Dortmundi tentoi të reagojë dhe në minutën e 42-të arriti të dërgojë topin në rrjetë përmes Ramy Bensebainit. Megjithatë, festa e vendasve zgjati pak.

Pas ndërhyrjes së VAR-it, gjyqtari Daniel Schlager rishikoi aksionin dhe vendosi që goli të anulohej për pozicion jashtë loje.

Bayern e shfrytëzoi momentin dhe në fund të pjesës së parë e dyfishoi avantazhin. Michael Olise realizoi një aksion individual të shkëlqyer në minutat shtesë, duke hyrë në zonë dhe duke goditur saktë në këndin e poshtëm për 2-0.

Skuadra e Niko Kovacit pati disa mundësi për të ngushtuar diferencën, por Manuel Neuer ishte i sigurt në portë. Në minutën e 53-të, Konstantinos Karetsas provoi pas një rrëmuje në zonë, por goditja e tij ishte e dobët dhe Neuer e priti pa vështirësi.

Dortmundi vazhdoi të insistonte dhe në minutën e 75-të arriti të rikthejë shpresën. Daniel Svensson pasoi për Fabio Silvan, i cili goditi nga brenda zonës. Topi u devijua dhe përfundoi pas shpinës së Neuerit për 2-1.

Në minutat e fundit, Dortmundi kërkoi golin e barazimit, ndërsa të dy trajnerët bënë disa zëvendësime për të ndryshuar ritmin e ndeshjes.

Megjithatë, Bayern arriti ta ruajë avantazhin deri në vërshëllimën e fundit dhe kështu siguroi trofeun e Superkupës së Gjermanisë.

Po ndodh...