Të shtëna me armë zjarri në Pukë

22 August 2026, 22:33 / AKTUALITET ALFA PRESS

Të shtëna me armë zjarri në Qelëz të Pukës,

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e sotme në zonën e njohur si “Hamalla e Dedës”, pranë fshatit Qafë T’Mugu, në Qelëz të Pukës.

Sipas informacionit paraprak, efektivët e Policisë ndodheshin në një zonë të thellë malore, ku po kryenin monitorime në lidhje me një parcelë të dyshuar për kultivim të kanabisit.

Gjatë kontrolleve, dyshohet se forcat e rendit janë pikasur nga persona që mund të kenë lidhje me aktivitetin e paligjshëm.

Pak më vonë, në zonë janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, duke bërë që efektivët në terren të kërkojnë menjëherë mbështetje dhe përforcime.

Në drejtim të zonës malore janë nisur forca të tjera policore, ndërsa për situatën është angazhuar edhe një grup i FNSH-së nga Shkodra.

Deri në këto momente nuk raportohet zyrtarisht për persona të plagosur apo të arrestuar si pasojë e të shtënave. Forcat e Policisë vijojnë kontrollet në terren, ndërsa zona po monitorohet për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.

Ngjarja merr rëndësi edhe për faktin se vetëm tre ditë më parë, në të njëjtën zonë, Policia arrestoi një shtetas, i dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

NJOFTIMI I POLICISË

Në fshatin Kodërbojë, gjatë kontrollit të një parcele ku ishin kultivuar bimë të dyshuara narkotike, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një person të armatosur.

Ky person, pasi ka konstatuar punonjësit e Policisë, është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të ndaluar.

Një prej punonjësve të Policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër, për ta paralajmëruar, por personi i armatosur, duke përfituar nga terreni, ka mundur të largohet.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Ndërkohë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, të Komisariatit të Policisë Pukë dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë vijojnë kontrollet për kapjen e personit.

Po ndodh...