BILD jehonë protestës: Studentët kërkojnë largimin e Ramës
Shqipëria dhe protestat në Tiranë kanë qenë sot edhe në fokus të medias gjermane BILD, e cila shkruan për përshkallëzimin e revoltës kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në artikullin e saj, media gjermane përshkruan përplasjet me policinë, zjarrin në godinat institucionale apo zemërimin e studentëve për kushtet e studimit e tarifat e larta.
Media e njohur gjermane e ka konsideruar këtë valë protestash si një klimë e gjerë pakënaqësie politike dhe sociale në vend.
Artikulli i BILD:
Shqipëria nuk po gjen qetësi!
Kryeqyteti, Tirana, është sërish skenë e trazirave të rënda. Gjatë protestave të dhunshme kundër qeverisë, të mërkurën mori flakë Ministria e Arsimit. Protestuesit vandalë thyen xhamat e dritareve, i vunë zjarrin edhe objekteve të tjera dhe u përleshën me policinë. Efektivët përdorën topa uji dhe gaz lotsjellës. Ky është tashmë dita e dytë radhazi me trazira të rënda.
Pas trazirave studentore në Francë, tani edhe në Ballkan: qindra studentë dhe kundërshtarë të tjerë të qeverisë dolën në rrugë. Protesta e tyre drejtohet kundër kushteve të këqija të studimit dhe tarifave të larta. Përveç kësaj, ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama (61 vjeç).
Gurë, kokteje Molotov dhe ndërtesa në flakë
Situata u përshkallëzua: protestuesit ngritën barrikada me barriera metalike, hodhën gurë dhe kokteje Molotov. Dy protestues u ngjitën mbi murin e Ministrisë së Arsimit dhe hodhën flakadanë brenda territorit të saj. Pak më vonë, nga një dritare doli tym i dendur dhe i zi. Zjarrfikësit arritën ta shuanin zjarrin pas një kohe të shkurtër.
Edhe një filial banke u bë shënjestër e vandalëve. Disa burra thyen xhamat dhe u vunë zjarrin dokumenteve. Gjithashtu, mori flakë një ndërtesë që dukej se ishte e pabanuar.
Që të martën kishte rënë zjarr në bashki
Dhuna kishte arritur një përmasë alarmante që një ditë më parë. Protestuesit kishin hyrë me forcë në godinën e Bashkisë së Tiranës, i kishin vënë zjarrin dhe kishin dëmtuar ndërtesa të tjera. Sipas policisë, 16 persona u arrestuan.
Ministria e Shëndetësisë raportoi për shumë të plagosur: gjashtë policë, tetë protestues, tre gazetarë dhe dy kalimtarë patën nevojë për trajtim mjekësor.
BE-ja jep alarmin – shqetësim për dhunën policore
Delegacioni i BE-së në Tiranë shprehu shqetësimin për “përshkallëzimin e dhunshëm” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ulin tensionet. Njëkohësisht, kërkoi që pretendimet për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve të hetohen sa më shpejt.
Është e qartë se situata është politikisht delikate për Shqipërinë. Vendi është kandidat për anëtarësim në BE. Vetëm në fillim të kësaj jave, një kapitull tjetër i negociatave për anëtarësimin në BE ishte mbyllur përkohësisht.
Projekti i hotelit luksoz nxit valën e protestave
Që nga fundi i majit, në Shqipëri zhvillohen vazhdimisht protesta kundër qeverisë. Shkak është plani për ndërtimin e një hoteli luksoz në një zonë bregdetare të mbrojtur natyrore. Për shkak të një lloji shpendi që gjendet në këtë zonë, demonstratat u bënë të njohura si “Protestat e Flamingove”.
Projekti i resortit lidhet me Ivanka Trump, vajzën e presidentit amerikan Donald Trump, dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.
Planet kanë nxitur një debat mbi dyshimet për korrupsion dhe mungesën e transparencës. Në të njëjtën kohë, po rritet pakënaqësia mes studentëve, të cilët ankohen për tarifat e larta të studimit dhe kushtet e këqija në universitete.
Po ndodh...
ide
Rinia e burgosur mes PS dhe PD, po shpërthen!
Flamingot në 137 ditë u kthyen në shqiponja
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
