Biznesi i luleve, në “lulëzim”/ Muaji Shkurt regjistron rekordin e dytë më të lartë të importeve

21 Mars 2025, 16:08 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Biznesi i luleve, në “lulëzim”/ Muaji Shkurt regjistron

Sipas të dhënave më të fundit të tregtisë së jashtme, duket se biznesi i tregtimit të luleve dhe kultivimi i bimëve po shënon një rritje të konsiderueshme.

Referuar numrave të INSTAT muaji shkurt i këtij viti regjistron rekordin e dytë më të lartë të vlerës së importit të pemëve, bimëve, rrënjëve apo luleve dhe gjetheve zbukuruese. Rekordi i mëparshëm regjistrohej në muajin Shkurt të vitit të kaluar në qoftë se analizojmë të dhënat që nga Janari i vitit 2005.

Vlera për muajin Shkurt të këtij viti arrin në gati 186 milionë lekë, ndërkohë që vlera e rekordit të mëparshëm vlerësohej në 196 milionë lekë.

Tendencat rritëse për këtë kapitull vihen re që nga viti 2017-të. Muajt kur importet e bimëve, pemëve apo luleve kanë shënuar vlerën më të lartë janë muajt Shkurt dhe Mars, kur përkojnë edhe me festat e 7-8 Marsit apo dhe 14-të Shkurtin.

Nisur nga kjo mund të themi se kërkesa për bimë, pemë dhe lule ka një tendencë rritëse gjatë periudhës së pranverës dhe përgjatë festave.

Ndërkohë, nëse analizojmë treguesin me bazë vjetore, shohim se përgjatë dy dekadave, viti 2024 përbën rekordin më të lartë me një vlerë importesh prej 1.3 miliardë lekësh.

Në drejtim të partnerëve kryesorë sa i përket importeve gjejmë në vend të parë Holandën me një peshë prej 51%, pasuar nga Italia me 26% dhe në vend të tretë e katërt Ekuadori me Kinën.

Nga ana tjetër, edhe eksportet për këtë produkt rezultojnë të jenë rritur ndjeshëm vitet e fundit, ku në vitin 2023 dhe 2024 kanë arritur kulmin e vlerave./SCAN

 

Po ndodh...