Etna po “vlon”, lava gjarpëron si lumë nëpër mal, aeroportet në kolaps

Mali Etna në Siçili është përfshirë nga një fazë aktiviteti intensiv vullkanik, duke shkaktuar probleme të shumta në trafikun ajror. Emetimet e hirit vullkanik kanë detyruar autoritetet të kufizojnë hapësirën ajrore pranë Katanias dhe të pezullojnë një pjesë të fluturimeve në aeroportin ndërkombëtar të qytetit.
Aktiviteti i vullkanit nisi ditët e fundit dhe është intensifikuar gradualisht. Etna ka nxjerrë sasi të konsiderueshme hiri, tymi dhe lave, ndërsa reja vullkanike është përhapur mbi zonat përreth, duke krijuar rrezik për sigurinë e avionëve.
Për shkak të situatës, autoritetet kanë vendosur kufizime në hapësirën ajrore pranë Katanias. Aeroporti Fontanarossa ka njoftuar pezullime të përsëritura të mbërritjeve, ndërsa një numër fluturimesh janë devijuar drejt aeroporteve të tjera të Siçilisë, kryesisht atij të Palermos.
Pasagjerët janë përballur gjithashtu me vonesa dhe anulime, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje udhëtarëve që të kontrollojnë vazhdimisht statusin e fluturimeve të tyre përpara se të nisen drejt aeroportit.
Aktiviteti vullkanik është përqendruar rreth një prej kratereve qendrore të Etnës, ndërsa intensiteti i shpërthimeve dhe i rrjedhave të lavës ndryshon nga ora në orë.
Shkencëtarët po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën për të vlerësuar zhvillimin e aktivitetit të vullkanit dhe ndikimin e tij në zonat përreth.
Pamje spektakolare të aktivitetit të Etnës janë regjistruar edhe nga ajri. Emilio Messina ka filmuar me dron rrjedhat e lavës që zbresin nga shpatet e vullkanit.
Deri më tani, rrjedhat e lavës janë kufizuar në zona të pabanuara dhe nuk janë raportuar të lënduar apo rrezik i drejtpërdrejtë për banorët.
Reja vullkanike kalon Mesdheun dhe arrin në brigjet e Libisë
Ndërkohë, ndikimi i aktivitetit të Etnës është vërejtur edhe përtej Siçilisë. Duke përdorur të dhënat e satelitit evropian Copernicus Sentinel-5P, ekipi shkencor i Observatorit Kombëtar të Athinës ka monitoruar përhapjen e dioksidit të squfurit të emetuar nga vullkani në atmosferë.
Sipas të dhënave, të ndjekura në bazë të drejtimit të erërave, reja vullkanike është zhvendosur në drejtim jug-jugperëndim, duke përshkuar Detin Mesdhe dhe duke arritur deri në brigjet e Afrikës së Veriut.
Reja e gazrave vullkanikë është regjistruar deri në zonën e Tripolit, kryeqytetit të Libisë. Autoritetet e mbrojtjes civile dhe shërbimet e navigimit ajror janë vënë në gatishmëri, ndërsa po ndiqet nga afër situata në Etna.
Për të përballuar pasojat e kufizimeve në trafikun ajror, janë marrë gjithashtu masa për të lehtësuar lëvizjen e pasagjerëve, përfshirë forcimin e lidhjeve hekurudhore mes qyteteve kryesore të Siçilisë.
Po ndodh...
Rama's government no longer has enough Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128