“Era e keqe doli në sipërfaqe”, shkrimtari serb trondit me deklaratën: Krimet e Serbisë nuk fshihen më!
Gjurmët institucionale të Serbisë në Kosovë janë fshirë në Kumanovë më 1999, është i bindur shkrimari i njohur serb Svetisllav Basara. Në një intervistë për revistën “Radar” ai sqaron se pse regjimi autokratik i Aleksandar Vuçiqit dhe revolta aktuale e studentëve janë po aq katastrofike për vendin. Sipas tij, përplasja mes tyre nuk ofron asnjë shpresë për ndryshim, por i ngjan një sfide ku, kushdo që të fitojë, shoqëria serbe do të jetë humbësja e madhe.
Në një intervistë për revistën e pavarur serbe “Radar”, një nga shkrimtarët më të shquar serbë dhe kritikët më të ashpër të nacionalizmit, Svetisllav Basara, ka folur gjerësisht mbi krizën e thellë politike e shoqërore që ka përfshirë Serbinë.
Në romanin e tij më të fundit, “Gjingjiqi: Kujtimet nga ana tjetër e varrit”, Basara analizon historinë e re serbe, duke filluar nga çështja e Kosovës e deri te kapja e shtetit nga Aleksandar Vuçiq, roli i kishës dhe përgjegjësia e elitave politike të prirë nga Vojisllav Koshtunica e Boris Tadiqi.
Duke komentuar politikat e sotme të regjimit ndaj Kosovës, Basara nuk u pajtuan me konstatimin se Aleksandar Vuçiq po fshin edhe gjurmët e fundit të pranisë shtetërore serbe në Kosovë. Ai tha se gjurmët e fundit të pranisë shtetërore serbe në Kosovë janë fshirë në një proces që ka përfunduar gjeopolitikisht shumë më herët.
Sipas Basarës, gjurmët e fundit të shtetësisë serbe në Kosovë janë fshirë realisht që në ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës në vitin 1999. Të gjitha strukturat ose “institucionet” që Beogradi ka pretenduar se mbante atje pas luftës nuk ishin gjë tjetër veçse imazhe të rreme të krijuara për konsum të brendshëm politik, ashtu siç janë bërë edhe vetë institucionet e Republikës së Serbisë, shtoi Basara.
Sipas shkrimtarit serb, rënia e Serbisë në gjendjen e sotme nuk mund t'i faturohet vetëm Aleksandar Vuçiqit apo as thjesht Slobodan Millosheviqit. Basara pretendon se gjendja aktuale është produkt i mbetjeve të mbledhura nën qilim për më shumë se një shekull e gjysmë.
“Nuk është Vuçiqi ai që e bëri Serbinë kështu siç është; ai vetëm hoqi dorezat dhe hoqi velin e fundit nga fytyra e saj e shëmtuar. Qilimi nën të cilin për më shumë se një shekull e gjysmë regjimet fshihnin krimet dhe bëmat e fëlliqura është kalbur dhe përmbajtja me erë të keqe ka dalë në sipërfaqe”, shprehet Basara.
Ai shton se politika e sotme është e vazhdueshme dhe strukturore: lufta epike për Kosovën, ksenofobia, urrejtja ndaj Perëndimit dhe klerikalizmi i stilit e fashistit Dimitrije Lotiq, të ushqyera me dekada nga intelektualët nacionalistë dhe të përshtatura në shekullin 21 nga ideologë si Dobrica Qosiq.
Një nga pjesët më goditëse të intervistës lidhet me figurën e ish-kryeministrit properëndimor Zoran Gjingjiq dhe sfondin e vrasjes së tij në vitin 2003. Basara zbulon se Gjingjiq nuk kishte më asnjë shans të mbijetonte politikisht apo fizikisht, sepse tentoi të këpuste qarkun e nacionalizmit dhe të bënte ndryshime strukturore.
“Gjingjiq u vra edhe pse nuk do të duhej të vritej. Ai e kishte kuptuar se nuk mund të bënte asgjë nga ato që kishte planifikuar për shkak të pengesave dhe tashmë po negocionte me disa universitete evropiane për t'u larguar nga politika pas zgjedhjeve të para. Rrethi i tij politik e dinte këtë. E vranë pjesërisht nga inati i pastër, e pjesërisht për të dërguar një mesazh: ‘Kështu do të përfundojë çdokush që guxon të prishë rendin e çarshisë’”, argumenton Basara.
Sipas tij, pasuesit e menjëhershëm të pushtetit pas atentatit - Vojislav Koshtunica dhe Boris Tadiq - ishin përfituesit e parë që gëzuan pushtet të pakufizuar për tetë vjet, duke hapur rrugën e rikthimit të radikalëve.
Basara e akuzon drejtpërdrejt Koshtunicën se vendosi “kontinuitet shtetëror” me strukturat e Millosheviqit, mbështeti rebelimin e armatosur të njësisë JSO dhe përdori mjetet e shtetit e klerikalizmit për të bllokuar reformat.
Mbi rolin e Kishës Ortodokse Serbe dhe klerikalizmit, Basara përmend raste të ndërhyrjes direkte politike e gjyqësore, si mbyllja e hetimeve për pedofili ndaj peshkopit Pahomije me urdhër të drejtpërdrejtë politik të Koshtunicës, apo promovimin e ideve fashiste e ushtarake nën petkun e fesë.
I pyetur për mënyrën se si Aleksandar Vuçiq ka kapur çdo pore të shtetit, të shërbimeve të sigurisë e medias, Basara nënvizon se Vuçiqi e mori pushtetin dhuratë nga dështimet e Tadiqit dhe paaftësia e elitave të vetëquajtura demokratike.
Sot, kufiri mes shtetit dhe mafias është fshirë plotësisht, por kjo nuk është diçka e re pasi, sipas tij, organet e larta të policisë e shërbimit sekret ishin të përfshira edhe në ekzekutimin e vetë kryeministrit të vendit dy dekada më parë.
Sa i përket zgjedhjeve të mundshme dhe revoltës aktuale studentore e qytetare, Basara shprehet skeptik. Ai kritikon opozitën serbe dhe rrethin intelektual se në vend që të organizohet në parti liberale-demokratike, rrëshqet sërish në të njëjtin nacionalizëm të rrezikshëm.
“Unë zgjedhjet e mundshme i shoh si një zgjedhje mes ‘botës serbe’ të Aleksandar Vulinit dhe ‘pikëvështrimit serb’ të Millo Lomparit (kritik letrar serb, nacionalist dhe i afërt me studentët protestues). Asnjëri prej tyre nuk është zgjedhja ime. Pothuajse si në slloganin e filmit Alienët kundër Predatorit: Kushdo që të fitojë, ne humbasim”, përfundon Svetisllav Basara, duke paralajmëruar se pa një ndryshim rrënjësor konceptual, Serbia do të vazhdojë të mbetet e bllokuar në rrugën e saj pa krye.
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128