Grupi i armatosur te ‘Regina Palm’, shpallet në kërkim edhe ish-deputeti Bujar Muça! Dyshohet për një të plagosur me armë

4 September 2026, 12:46 / AKTUALITET ALFA PRESS
Grupi i armatosur te ‘Regina Palm’, shpallet në kërkim

Mes personave të shpallur në kërkim pas përplasjes së një dite më parë në zonën e Radhimës, në ambientet e “Regina Palm Resort”, raportohet se është edhe vëllai i biznesmenit Luan Muça, ish-deputeti Bujar Muça.

Sipas asaj që raporton Shqiptarja.com, krahas personave të tjerë të përfshirë në ngjarje, Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim edhe ish-deputetin Bujar Muça. Ende nuk dihet se cili ka qenë roli i tij konkret në konfliktin mes dy grupeve të biznesmenëve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës vijojnë.

Sakaq nga po e njëjta media raportohet se grupi hetimor ka dyshime se një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri, pasi në një prej makinave të sekuestruara u gjetën njolla gjaku. Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që dikush të jetë lënduar nga xhamat e automjetit. Policia është duke u interesuar në spitalet publike dhe jo publike pranë Fierit, Vlorës apo dhe në Tiranë, në rast se dikush është paraqitur i plagosur. Lidhur me këto dyshime si dhe me emrin e ish-deputetit pritet një reagim zyrtar dhe i detajuar nga autoritetet dhe të gjitha informacionet e lartpërmendura janë thjesht raportime mediatike.

Sakaq kujtojmë se një ditë më parë vetë kryepolici i Vlorës, Ervin Ndreu, në një deklaratë për mediat sqaroi se policia ishte njoftuar rreth orës 11:30 për një kërcënim me armë zjarri ndaj biznesmenit Vasil Bedinaj në ambientet e resortit “Regina Palm” në Radhimë.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë ngritën pika kontrolli në qytetin e Vlorës dhe në aksin drejt Dhërmiut, ndërsa u njoftuan edhe strukturat e Policisë së Fierit dhe Gjirokastrës

Sipas versionit të bërë publik nga Ndreu, rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Alikokë, një automjet tip “Range Rover” nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe vijoi lëvizjen në drejtim të fshatit Peshkëpi. Në urën e Peshkëpisë, automjeti humbi drejtimin dhe u përplas me barrierat e rrugës.

Në automjet ndodheshin biznesmeni Luan Muça dhe vëllezërit Klaudio e Mandid Lleshaj, të cilët, sipas policisë, janë punonjës të “SWAT Security”. Si pasojë e aksidentit, Luan Muça dhe Mandid Lleshaj mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital. Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti një pistoletë dhe një krehër me 16 fishekë.

Por ngjarja nuk u mbyll me aksidentin pasi rreth orës 13:00, shërbimet e Policisë së Fierit ndaluan në bypass-in e Fierit, në zonën e Mbikalimit të Memorialit, një automjet të shpallur në kërkim, i dyshuar se ishte përdorur në konfliktin e Radhimës. Në drejtim të tij ndodhej shtetasi kosovar Blerim Heta.

Sipas kryepolicit Ervin Ndreu, automjeti kishte dëmtime në xhamin dhe krahun e pasagjerit, të shkaktuara nga armë zjarri, ndërsa brenda tij u gjetën edhe tre fishekë pistolete.

"Në orën 13:00 pika e kontrollit në Fier te Mbikalimi i Memorialit, ka ndaluar një automjet të shpallur në kërkim për këtë ngjarje, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta. Nga kontrolli, kishte dëmtime në xham, krahu i pasagjerit, të shkaktuara nga armë zjarri. Brenda janë gjetur 3 fishekë pistolete.

Rreth orës 16:30 në Bypassin e Vlorës, në Kaninë është konstatuar duke u djegur një automjet Audi A8 i dyshuar i përdorur në ngjarje", njoftoi kryepolici i Vlorës, duke konfirmuar se dhe Audi A8 që po digjej në Kaninë 5 orë pas ngjarjes, ishte i Luan Muçës, biznesmeni pronarë i Deltës.

 

Po ndodh...

ide