"Një plagë që nuk mbyllet", motra e Renis Dobrës kujton 23-vjeçarin 15 muaj pas vrasjes së rëndë në Mat

10 October 2026, 09:37 / AKTUALITET ALFA PRESS
"Një plagë që nuk mbyllet", motra e Renis Dobrës

Dhimbja për humbjen e vëllait të vetëm nuk është zbehur as pas 15 muajsh. Motra e Renis Dobrës ka ndarë në rrjetet sociale një dedikim prekës për 23-vjeçarin, duke rrëfyer mallin, kujtimet dhe vështirësinë për të pranuar se ai nuk do të kthehet më.

Në një postim të gjatë në TikTok, të shoqëruar me një fotografi pranë varrit të të vëllait, ajo shkruan se ende e pret dhe se shpesh i duket sikur do të dëgjojë zërin e tij apo do të mund ta përqafojë sërish.

“Kanë kaluar 1 vit e 3 muaj pa ty, por zemra ime ende nuk arrin ta besojë që ti nuk je më këtu. Ende të pres. Ende më duket sikur do të të shoh, sikur do të dëgjoj zërin tënd”, shkruan ajo.

Motra e të riut kujton momentet që kanë ndarë bashkë dhe rrëfen se edhe gjërat më të zakonshme, që dikur dukeshin të parëndësishme, tashmë janë kthyer në kujtime për të cilat do të jepte gjithçka që t’i përjetonte edhe një herë.

Ajo tregon se netëve shpreson ta takojë në ëndërr, ndërsa zgjimi pa e parë e përball sërish me mungesën e tij.

Në dedikimin e saj nuk mungojnë as pendesa për fjalët e thëna në momente mërzie dhe dëshira për t’i kërkuar falje, për ta përqafuar e për t’i thënë edhe një herë sa shumë e do.

“Ti nuk ishe thjesht vëllai im. Ti ishe vëllai im i vetëm. Drita e syve të mi. Një pjesë e zemrës sime”, shkruan ajo, duke përshkruar boshllëkun që ka lënë pas vdekja e tij.

Në fund, motra e Renisit shpreh bindjen se dashuria për të nuk do të shuhet, pavarësisht mungesës, dhe se do ta mbajë gjithmonë në kujtime.

“Pusho i qetë, vëllai im i shtrenjtë. Motra jote do të dojë përgjithmonë”, përfundon ajo mesazhin e saj.

Vrasja e Renis Dobrës

Renis Dobra u vra në korrik të vitit 2025, në një ngjarje të rëndë në zonën e Madheshit, në Mat. Sipas dosjes së hetimit, ai u rrëmbye, u vra dhe trupi i tij u hodh së bashku me automjetin në liqenin e Shkopetit.

Për ngjarjen akuzohen tre vëllezërit Kristë, Fation dhe Aleksandër Bushgjokaj, si dhe Petrit Çakri. Dyshimet për motivin lidhen me çështje të trafikut të drogës.

Pas përfundimit të hetimeve, SPAK ka dërguar dosjen për gjykim, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet nga drejtësia.

Po ndodh...